Përplasja për postin e presidentit dhe mënyrën e ndarjes së pozitave kryesore të shtetit mes deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës është bartur të dielën në rrjete sociale. Një ditë më herët, seanca konstituive u ndërpre pasi që kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti për të dytën herë kërkoi kohë shtesë për ta propozuar emrin e kandidatit për kryeparlamentar, gjë që nxiti reagimi e deputetes së AAK-së, Time Kadrijaj e cila hodhi vezë ë drejtim të Kurtit. Të dielën, as Vetëvendosja dhe as LDK-ja, PDK-ja e AAK-ja nuk u janë përgjigjur pyetjeve nëse janë të gatshme të bëjnë përpjekje për të arritur një marrëveshje politike. Vetëvendosja nuk tha nëse ka dërguar apo do të dërgojnë ftesa për takim, e partitë e tjera nëse kanë pranuar ftesë apo nëse do t’i përgjigjeshin pozitivisht. Ndërkohë që nuk ka një njoftim as nga Kuvendi i Kosovës nëse të hënën do të vazhdohet me seancë konstituive, për të përmbushur kushtin që ajo të mbahet brenda 48 orësh.
Megjithatë në rrjete sociale deputetët e Vetëvendosjes dhe LDK-së kanë shpërfaqur informacione të cilat tregojnë për ofertat dhe dilemat në përpjekjet për marrëveshje, e njohësit e zhvillimeve politike nuk parashohin zhbllokim pasur parasysh pozicionimet e deritashme.
Deputeti i Vetëvendosjes, Ilir Kërçeli, ka shkruar të dielën në Facebook se kandidati i kaluar i kësaj partie për president ka marrë më shumë vota se cilido kandidat i partive të tjera dhe megjithatë Vetevendosja ka bërë koncesion duke tërhequr emrin e një kandidati politik dhe duke bërë thirrje për kandidat koncesual.
“Gjashtë të parët e LDK-së, tre të parët e PDK-së, si dhe i gjithë grupi parlamentar i AAK-së, kanë vota aq sa kishte i nominuari i Lëvizjes Vetëvendosje! për president, Glauk Konjufca. Edhe pse ishte nominuar për president dhe pastaj u futëm në zgjedhje, përsëri Lëvizja Vetëvendosje! ka bërë koncesion, duke tërhequr një emër politik për të lënë hapësirë për një emër konsensual”, ka shkruar ai. Ky deputet i Vetëvendosjes po ashtu ka shkruar për ofertën e partisë së tij që ia ka bërë LDK-së dhe PDK-së për të gjetur zgjidhje politike.
“Për PDK-në: po e zgjedhim një president konsensual dhe kryetarin e Kuvendit për PDK-në. Njërën nga tri pozitat e larta të shtetit. Dhe gjatë votimit për president mund të votoni kundër, mirëpo merrni pjesë në formimin e institucioneve. Për LDK-në, e cila me 30 deputetë kishte hyrë në qeverisje duke e dhënë edhe pozitën e presidentit, edhe kryeparlamentarit, zëvendëskryeministrin dhe tre ministra, ose kryetarin e Kuvendit e tri ministri, edhe pse sot i ka 18 deputetë. Po ashtu, edhe për deputetët e LDK-së: merrni pjesë në votim dhe votoni kundër. Edhe LDK-ja, edhe PDK-ja po bëjnë thirrje për ta votuar kryetarin e Kuvendit dhe nënkryetarët, edhe pse po refuzojnë ofertën për formimin e institucioneve”, ka thënë Kërçeli.
Por, deputeti i LDK-së, Arben Gashi, ka shkruar se çështja nuk është vetëm posti i presidentit, por kërkesa për qartësi, besim dhe përgjegjësi në marrëdhëniet mes subjekteve politike.
“LDK dhe LVV kanë një histori bashkëqeverisjeje që zgjati rreth 50 ditë. Brenda saj, një ministër dhe nënkryetar i LDK-së u shkarkua në kundërshtim me marrëveshjen politike dhe më pas u rrëzua Qeveria. Pra, kjo histori nuk është histori besimi. Është histori mosbesimi. Prandaj, para posteve duhet të flasim për shtetin. Duhet të dimë: si e shohim politikën e jashtme, dialogun dhe Asociacionin; raportet me aleatët dhe rajonin; sigurinë; ekonominë, drejtësinë, shëndetësinë e arsimin? Dhe mbi të gjitha: a mund të ndërtojmë një program të përbashkët qeverisës?”, ka shkruar ai. Ky deputet i LDK-së, ka thënë se vetëm pas kësaj faze vjen ndarja e përgjegjësive dhe ka ripërsëritur qëndrimin e kësaj partie se ndarja “duhet të jetë proporcionale” dhe ka sqaruar se si e sheh LDK-ja atë.
“Me 53 deputetë LVV dhe 18 LDK, raporti është përafërsisht 3 me 1. I njëjti parim duhet të vlejë edhe për institucionet. Edhe për tri institucionet kryesore – Presidentin, Kryeministrin dhe Kryetarin e Kuvendit – duhet të vlejë ky parim: dy për forcën më të madhe dhe një për forcën e dytë. Pra, LVV-së, si forcë më e madhe, i takon të zgjedhë cilat dy prej tyre i konsideron prioritare: Kryeministrin dhe Kryetarin e Kuvendit, ose Presidentin dhe Kryetarin e Kuvendit. Kjo është ndarje proporcionale. Kjo është ndarje e drejtë. Por problemi nuk është vetëm Presidenti. Problemi është më i thellë: mungon mirëbesimi, nuk ka ende program të përbashkët dhe dallimet në politikën e jashtme, ekonomike, sociale dhe mënyrën e qeverisjes janë të mëdha”, ka shkruar ai. Sipas Gashit, çështja e Presidentit është e zgjidhshme. “Nuk ka arsye që nga 80 e më shumë deputetë të mos gjendet një kandidat i denjë. Nëse një emër nuk është i pranueshëm, ka të tjerë. Pra, emri nuk është problemi kryesor. Presidenti nuk është dekor. Është një nga figurat kryesore të shtetit dhe duhet të ketë autoritet, përvojë, vizion, integritet dhe aftësi për ta përfaqësuar Kosovën. Prandaj, le të mos e reduktojmë gjithë këtë në një debat për karrige”, ka shkruar Gashi.
Më 7 gusht ka skaduar afati kushtetues prej 30 ditësh për konstituimin e Kuvendit, e deri tash janë mbajtur dy vazhdime seancash të cilat janë shtyrë më kërkesë të kreut të VV-së, Albin Kurti. Ai insiston që së pari të arrihet marrëveshje politike për çështjen e presidentit e më pas të procedohet me konstitumin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë.
Kuvendi konsiderohet i konstituuar ditën kur të zgjidhet edhe kryeparlamentari dhe të 5 nënkryetarët. Po atë ditë nis të rrjedhë afati prej 60 ditësh për zgjedhjen e presidentit. E, nëse përgjatë kësaj dështon zgjedhja, Kuvendi shpërndahet dhe shpallen zgjedhje të parakohshme.
Vetëvendosja, bashkë me ligjvënës të komuniteteve, pa përfshirë ata të Listës Serbe, ka numrin e mjaftueshëm të votave për ta zgjedhur kryeparlamentarin dhe për ta votuar qeverinë. Por, për presidentin kërkohet pjesëmarrja në votim e së paku 80 deputetëve në dy rundet e para.
Pas dështimit të dytë për konstituim të Kuvendit, përfaqësuesit e PDK-së, LDK-së e AAK-së gjatë paraqitjeve publike, nuk dhanë shenja se do t’i përgjigjen ftesës së Kurtit për takim dhe as nuk folën për mundësinë e marrëveshjes me Vetëvendosjen, rreth çështjes së presidentit.
Moskonstituimi i Kuvendit edhe pas skadimit të afatit kushtetues, në mungesë të një marrëveshjeje politike mes partive, sipas njohësit të çështjeve politike, Fitim Gashi, paraqet presion ndaj LDK-së që të pranojë ofertën E VV-së. /Koha/