Dje VV-së i dështoi propozimi për Albulena Haxhiun kryeparlamentare, seanca vazhdon sërish nesër

Për herë të tretë dje deputetët e rinj u mblodhën për ta konstituar kuvendin e Kosovës. Pas dy dështimeve, përpjekja e tretë rezultoi e suksesshme.

Raporti për verifikimin e kuorumit dhe mandateve kaloi, e më pas deputetët e bënë betimin.

Mirëpo, zgjedhja e kryetarit të kuvendit dështoi dy herë.

Vetëvendosje propozoi Albulena Haxhiun për postin e kryetares së Kuvendit, por në të dy votimet, Haxhiu nuk mori shumicën e nevojshme: fillimisht 57 vota për, 20 kundër dhe 3 abstenime, dhe në tentativën e dytë 57 për, 19 kundër dhe 3 abstenime.

Nisma Socialdemokrate dhe dy deputetë të minoriteteve joserbe abstenuan.

Seanca u ndërpre dhe do të vazhdojë nesër në ora 15:00.

Një nga deputetët e kësaj partie që së fundmi aludonte se VV i ka votat e nevojshme, është Arbër Rexhaj.

“Unë mendoj që Lëvizja Vetëvendosje – mbi bazën e diskutimeve që i kemi pasur në grupin parlamentar – i kemi numrat për ta bërë këtë gjë. Tashti është çështje që i takon edhe kryeministrit, qoftë emri i kryeparlamentarit – se e di që do të më pyesni – qoftë përbërjen e kabinetit qeveritar”, tha ai, duke shtuar se Albin Kurti “do ta shpalosë para qytetarëve në formën më transparente të mundshme”.

Tjetër deputetët që shprehej me këtë siguri është edhe Ejup Maqedonci

“Patjetër që numrat i kemi. Ne jemi të vetëdijshëm të gjithë që Lëvizja Vetëvendosje është partia fituese dhe nuk është fituese dosido…Opozita duke e parë këtë rrezik për ta e pengoi që dy seanca radhazi konstituimin e Kuvendit që është një goditje ndaj demokracisë…Dje ka qenë shumë e qartë. Është thirrur një takim konsultativ që s’ka pasur të bëjë me aspektin procedural, por me aspektin e konsultimeve para se të hyhet në seancë, me qëllim që të shmanget mundësia e ndonjë shkelje kushtetuese apo ligjore dhe ka qenë hezitimi i një pjese të opozitës që edhe të komunikojë. Ne e promovojmë dialogun dhe konsultimet si mjet kryesor para se të marrim vendime politike të nivelit të përbashkët nacional”, deklaronte Maqedoni.

I sigurt në numrat e VV-së, është shprehur edhe deputeti Faton Peci, tha se Lëvizja Vetëvendosje i ka numrat për formimin e qeverisë së re.

Përveç këtyre, ditë më parë ka qenë edhe deputeti Halil Thaçi, ai që kishte supozuar se VV-ja i ka 63 vota.

‘‘Unë po shpresoj që do ta bëjmë edhe pa PDK, e kryeministër do të jetë Albin Kurti dhe krye parlamentar Glauk Konjufca. Me vota, 63 vota, qeto 63 vota bëhen prej deputetëve. Prej atyre që janë përgjegjës për shtetin e Republikës së Kosovës’’, ka thënë ai.

E bindur në krijimin e qeverisë së re nga VV-ja, është shprehur edhe deputetja Arbëresha Kryeziu-Hyseni.

“Të martën më 15 prill besoj që do të fillojë me konstituimin e Kuvendit e pastaj edhe me procedurat e tjera. Unë e di që kryeministër do të jetë Albin Kurti prapë dhe Qeveria Kurti 3 do të formohet. Kjo bëhet sigurisht nëse i kemi numrat. E unë besoj që i kemi”, ka thënë ajo.

Në anën tjetër, për dallim nga anëtarët e partisë së tij që kanë qenë kaq të zëshëm, Albin Kurti, ka qenë i heshtur fare. Në pothuajse çdo paraqitje të tij ditëve të fundit, kur është shfaqur para gazetarëve, ai nuk është prononcuar. Mes shumë mikrofonave e pyetjeve, Kurti asnjëherë nuk ka dhënë një koment.

Mes heshtjes së tij e deklarimeve të shumta të deputetëve të VV-së, ende s’është e sigurt që kjo parti ka shumicën.

Shtuar këtu edhe faktin se, partia e cila ka qenë më e afërt me VV-në për një koalicion të mundshëm, ajo e NISMA-s, sot, nuk e përkrahu Haxhiun për kryetare të kuvendit. Duke mos dhënë shenja të mira për një koalicion të mundshëm mes tyre. /GazetaExpress/