Dy të plagosurit në Prishtinë në gjendje të rëndë

Dy personat që mbetën të plagosur në mëngjesin e sotëm në Prishtinë, janë në gjendje të rëndë shëndetësore. Drejtori i Klinikës Emergjente në QKUK, Naser Syla, ka konfirmuar për KOHËN se njëri prej tyre që nga ora 4 e mëngjesit gjendet në sallë të operimit.

“Dy të plagosur me armë zjarri janë sjellë në Qendrën Emergjente rreth orës 4 të mëngjesit. Janë kryer ekzaminimet e nevojshme për të dy pacientët. Njëri është dërguar menjëherë në sallë të operacionit të emergjencës, ku janë duke punuar ekipet kujdestare të kirurgjisë vaskulare, abdominale. Gjendja e tij është e rëndë dhe jo stabile. Kurse i plagosuri i dytë është ende në Qendrën Emergjente duke obsveruar, po ashtu në gjendje të rëndë por stabile për momentin”, thuhet në përgjigjen e Sylës.

Të plagosurit janë të moshës 31 dhe 36 vjeç.

Dy persona u plagosën me armë zjarri në orët e hershme të mëngjesit të sotëm në lagjen “Arbëria” në Prishtinë, konkretisht në rrugën “Ahmet Krasniqi”.

“Bazuar në informatat fillestare, dyshohet se dy persona janë plagosur me armë zjarri dhe të njëjtit janë dërguar për tretman mjekësor. Aktualisht, hetuesit policorë, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, po vazhdojnë veprimet hetimore për ndriçimin e plotë të rastit”, njoftoi policia e Kosovës.