Zgjedhjet e reja, që do të ishin të katërtat në dy vjet, u evituan vetëm në minutat e fundit të së martës, që ishte dita e fundit e afatit për zgjedhjen e Presidentit.
Justina Shiroka-Pula u zgjodh Presidente e vendit me një rekord prej 81 votash në Kuvend. Kryetarja e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës dje e mori detyrën e shefes së shtetit.
E djeshmja mund të ketë qenë një ditë reflektimi për atë nëpër çfarë kaloi vendi për rreth dy vjet, për t’i zgjedhur më në fund të tri institucionet kryesore të vendit.
Kosova ishte pa President/e për gjysmë viti – që kur Vjosa Osmanit i përfundoi mandati pesëvjeçar në fillim të prillit.
Kryeministri, kryetari i LVV-së, Albin Kurti nuk e mbështeti synimin e saj për të qëndruar edhe për një mandat në karrigen e shefes së shtetit dhe Osmanit iu desh të kthehej në Lidhjen Demokratike të Kosovës, partinë e saj të dikurshme.
Osmani nuk u rizgjodh, por as nuk u zgjodh dikush ta pasonte atë në Presidencë. Albulena Haxhiu, si kryetare e Kuvendit, e ushtroi detyrën e Presidentes gjatë kësaj periudhe.
Vendi kishte hyrë në një krizë të thellë politike që pas zgjedhjeve të rregullta parlamentare në shkurt të vitit 2025.
Bllokada e gjatë në Kuvend u zgjidh dikur vonë, por kriza vazhdoi.
Kurti dështoi ta zgjidhte një qeveri të re në fund të vitit 2025. LDK-ja nuk shkoi në koalicion me të, Partinë Demokratike të Kosovës nuk e donte dhe me Fatmir Limajn e Nismës nuk u mor vesh për të bashkëqeverisur.
Zgjedhjet e fundvitit 2025 i sollën Kurtit një rezultat shumë më të mirë, por problemi tash do të kalonte te çështja e Presidentit, me Osmanin që po i kalonte muajt e fundit në Presidencë. Aleati i saj i dikurshëm që nuk donte ta mbante më aty.
Kurti e nisi “përpjekjen” për një emër tjetër për President. Diskutoi me partitë tjera, por kur afati po i afrohej fundit, e propozoi për President nënkryetarin e partisë së tij, Glauk Konjufcën. Krejt në fund, provoi edhe me drejtoreshën e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, Feride Rushiti, emrin e së cilës madje e hodhi në votim, por pa sukses.
Kështu, për herë të parë ndonjëherë, Kosova shkoi në zgjedhje për shkak të moszgjedhjes së Presidentit.
Pas zgjedhjeve të reja të jashtëzakonshme në qershor, u vonua konstituimi i Kuvendit dhe zgjedhja e qeverisë së re.
Ndërkohë, Kurti iu kthye diskutimeve për çështjen e Presidentit, duke e takuar disa herë kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikun. Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza dhe ai i Aleancës, Ardian Gjini nuk u takuan me të, duke e akuzuar për “lojëra politike”.
LDK-ja kërkonte fillimisht që posti i Presidentit t’u takonte atyre, por nëse do të duhej t’i takonte një partie, do të duhej t’i lihej LVV-së, thoshte Kurti.
“Tash, natyrisht që prefereca jonë është një president konsensual. Por nëse nuk ka president konsensual, edhe nëse vijmë te presidentët partiakë, atëherë është Lëvizja Vetëvendosje. Parti për partia jena na”, kishte deklaruar ai në verë pas një prej takimeve të shpeshta me Abdixhikun.
Kurti dhe Abdixhiku megjithatë u morën vesh në fund të gushtit për emrin e profesorit Bekim Sejdiu për President. Por ai u tërhoq dy javë më vonë, kur pa se nuk e kishte mbështetjen e të gjithë deputetëve të LDK-së.
Gjykatës Speciale më 16 shtator i shpalli fajtorë katër ish-krerët Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, duke i dënuar për krime lufte me nga 13 deri në 25 vjet burgim.
Ky vendim e ktheu partinë e “krahut të luftës” në tavolinën e bisedimeve me Kurtin.
PDK-ja kërkonte miratimin e disa ndryshimeve në ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specialiaur në Hagë. Këtë e kërkonte para zgjedhjes së Presidentit, pozitë për të cilën Kurti e Hamza nuk kishin gjetur asnjë emër deri në minutat e fundit të afatit, të martën. Kurti insistoi për një formulë tjetër: Presidenti, pastaj ligji.
Zemërimi i qytetarëve jashtë Kuvendit dhe Qeverisë vazhdoi edhe pas dy javësh protestash, që prej shpalljes së dënimit të ish-krerëve të UÇK-së në shkallë të parë.
Pasi bëri disa manovra pasditen e së martës, duke e kthyer madje edhe njëherë emrin e Konjufcës në një ofertë për PDK-në, Kurti arriti të merrej vesh me Hamzën vetëm kur kishin mbetur më pak se dy orë afat.
Pas orës 22:00, Kurti tha se LVV-ja do t’ia votonte fillimisht ndryshimet në ligjin për Specialen, nëse PDK-ja do të zotohej se e voton për Presidente Justina Shiroka-Pulën, ish-ministren dhe ish-deputetn e kësaj partie. Hamza pranoi, duke shënuar marrëveshjen e parë ndonjëherë të kësaj natyre ndërmjet LVV-së dhe PDK-së. /Gazeta Express/