Familja 4-anëtarëshe nga Prishtina humbi në Bjeshkët e Rugovës, personi që i gjeti rrëfen ngjarjen

Një familje katëranëtarëshe nga Prishtina, prindërit me vajzën dhe djalin e tyre, 13 e 14 vjeç, kanë përjetuar një ditë të rëndë në qershor të këtij viti, pasi gjatë shëtitjes kanë humbur në Bjeshkët e Rugovës.

Familja kishte dalë deri në kufirin me Malin e Zi, ndërkohë mjegulla e rëndë ka ndikuar që ta humbin rrugën. Për rastin e humbjes në bjeshkë ishte informuar edhe policia, si dhe dy qytetarë, Idriz Kurtbogaj dhe Liridon Demaj. Të cilët pas disa orësh kërkimi arritën ta gjenin familjen, me ç’rast për kontributin e dhënë dje kanë marrë letërfalënderim nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë.

I kontaktuar nga Gazeta Express, Idriz Kurtbogaj ka treguar sesi ndodhi rasti i humbjes së familjes 4-anëtarëshe nga Prishtina.

“Ajo ditë ka qenë paradite, familja ka dalë në Rugovë në kufi me Malin e Zi, ndërkohë ka ra mjegulla, është prishë koha, kanë mbetur afër fshatit Buxhov, vend me gropa… Në atë rrethinë ka ndodhur të humbin edhe banorët… Ne e kemi marrë informacionin prej policisë, kemi dalë në kodër i kemi thirrë, tu i thirr kemi shku te ta, pas gati 10-12 orë në mal i kemi gjetë në orët e vona të mbrëmjes. Kur kemi dalë te kufiri ka mbërritur policia”, tha Kurtbogaj për Gazetën Express.

Tutje ai tha se “familja jeton në Prishtinë, prindërit me dy fëmijët, 13 dhe 14 vjeç”, me të cilët ai tha se vazhdojnë të kenë kontakte dhe janë bërë miq.

Ndërsa, lidhur me rastin në fjalë, familja nuk ka dashur të deklarohet.

Policia e Pejës njoftoi dje se familja u gjet nga dy qytetarët, Idriz Kurtbogaj dhe Liridon Demaj, të cilët kanё njohuri të mira pёr Bjeshkёt e Rugovёs.

Ata janë pritur në takim nga drejtori i Drejtorisё Rajonale tё Policisё nё Pejё, kolonel Sami Shabanaj, me ç’rast i ka falënderuar për kontributin si dhe u ka ndarë letёrfalënderim. /Gazeta Express/