Faton Bislimi jep dorëheqje nga Kryesia e LDK-së

Deputeti Faton Bislimi ka dhënë dorëheqje nga Kryesia e LDK-së. Bislimi ka thënë se dorëheqja është si pasojë e “një injorimi të paarsyeshëm, personalizimi të skajshëm dhe përpjekjeve perfide për sforcim të pozitës personale e jo të partisë, kryesisht nga kreu i partisë”.

Bislimi në një letër dërguar kryesisë së LDK-së ka thënë se “partia vetëm po tkurret konceptualisht nën çasjen e kreut të tanishëm”.

“Po ju shkruaj për t’ju njoftuar me vendimin tim për të dhënë dorëheqje nga Kryesia dhe Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së, efektivisht nga sot. Marrja e këtij vendimi nuk ishte aspak e lehtë! Por, në mes të heshtjes përballë injorimit të paarsyeshëm, personalizimit të skajshëm, dhe përpjekjes perfide për sforcim të pozitës personale e jo të partisë, kryesisht nga kreu i saj në njërën anë, dhe besimit të palëkundur për një LDK që i qëndron besnike vizionit rugovist, për një LDK që shpërfaqë e praktikon djathtizmit autentik kombëtar si dhe një LDK që e sheh secilin aktivist e aktiviste, të mëparshëm apo të tanishëm, si hisedarë e jo si shërbëtorë të partisë; unë zgjedh këtë të fundit. Zgjedh LDK-në e idealeve dhe pragmatizmit politik, jo atë të interesave personale e grupore; LDK-në e atyre që sakrifikuan e nuk u lodhën asnjëherë së punuari për liri, demokraci e pavarësi, jo atë të lartësimit të përfituesëve e tregtarëve politikë; LDK-në e vlerësimit dinjitoz të figurave themeltare e të të rënëve të saj, e jo atë të homazheve fallso para varreve të tyre; LDK-në e miqësisë permanente me SHBA-të, jo atë të thirrjes me zë të shterur në këtë miqësi vetëm për poena politikë; LDK-në e aktivistëve e kontributdhënësëve, jo atë të titullarëve! Për këtë LDK, qëndroj i palëkundur edhe tash e tutje! Fatkeqësisht, kjo LDK që unë zgjedh dhe e dua – sepse besoj fuqishëm që i shërben vendit e kombit – vetëm sa po tkurret konceptualisht nën çasjen e kreut të tanishëm. Sikur shumë të tjerë, edhe unë personalisht kam qenë shpresëplot në këtë lidership; nuk e mohoj. Jam përpjekur të bëj punën time, kam shpreh shqetësimet në forumet e partisë (qoftë edhe në rastet e rralla që një mundësi e tillë na është dhënë)”, thuhet në letrën e Bislimit, të publikuar edhe në Facebook.

Bislimi ka qenë deputet i Kuvendit të Kosovës në legjislaturën e kaluar. Në zgjedhjet e fundit, ai nuk mori votat e mjaftueshme për t’u ulur në karrigen e ligjvënësit përsëri.