Gërxhaliu: Kosova do të përfitojë nga çmimi tavan i naftës ruse

Çmimi tavan hyri në fuqi këtë të hënë në të njëjtën ditë që Bashkimi Evropian vendosi bojkot për shumicën e naftës ruse – naftën e papërpunuar që transportohet përmes detit.

Çmimi tavan prej 60 dollarësh për një fuçi u miratua zyrtarisht nga aleatët perëndimorë më 2 dhjetor.

Njohësi i zhvillimeve ekonomike në vend, Safet Gërxhaliu tha se çmimi tavan ndaj naftës ruse është mundësi e rimëkëmbjes ekonomike të Kosovës dhe Evropës.

“Me vendimin e Qeverive perëndimore për   kufizimin e çmimit të eksporteve të naftës ruse , si përpjekje për të kufizuar të ardhurat nga karburantet që e mbështesin buxhetin e Moskës, ushtrinë e saj dhe pushtimin e Ukrainës është i mirëseardhur edhe për Kosovën dhe vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor e më gjerë”, ka shkruar Gërxhaliu në “Facebook”.

Sipas tij një ndër faktorët e ngritjes së çmimeve të produkteve të ndryshme ka qenë kostoja e lartë e transportit si pasojë e çmimit të lart të naftës, por edhe ngritja e çmimi të kostos së procesit të prodhimit, e cila uli konkurenshmërinë e shumë produkteve e shërbimeve në veçanti tek vendet më pak të zhvilluara.

“Çmimi tavan prej 60 dollarësh për një fuçi nafte  hyri në fuqi të hënën, në të njëjtën ditë që Bashkimi Evropian vendosi bojkot për shumicën e naftës ruse, naftën e papërpunuar që transportohet përmes detit”,  tha ai.

Çmimi tavan u prezantua në shtator nga shtetet e G7-së (SHBA-ja, Kanadaja, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania, Italia, Japonia dhe Bashkimi Evropian) në përpjekje për të goditur aftësinë e Rusisë që të financojë luftën e saj kundër Ukrainës.

“Duke e ditur që ky vendim për çmimin tavan është i mirëseardhur qoftë për bizneset, por edhe për qytetarët e Kosovës, por në aspektin afatshkurt është një goditje për importuesit e mëdhenjë vendor të naftës të cilët importuan sasi të shumta të naftës si rezerva eventuale me çmime të larta dhe tani duhet të shesin me çmimin e ultë aktual dhe janë duke përjetuar humbje milionëshe”, tha ai

Sipas tij me këtë ngrirje të çmimit të importit të naftës ruse po fillon një epokë e re e fillimit të rimëkëmbjes ekonomike në botë, por edhe një moment psikologjik për qytetarët që të besojnë në ardhmëri më të mirë në shumë dimensione.