Gërxhaliu: Në mungesë të konfrontimit me opozitën ashpërsohet konflikti me sindikatat!

Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, ka komentuar situatën e fundit në vend mes Qeverisë së Kosovës dhe Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) si dhe Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK).

Në një bisedë për gazetën “Epoka e re”, Gërxhaliu ka thënë se këto raporte mes qeverisë dhe sindikatave janë duke dëmtuar Kosovën në dimensione të ndryshme.

“Raportet e krijuara mes Qeverisë së Kosovës dhe sindikatave janë duke dëmtuar Kosovën në fusha të shumta, në shumë dimensione. Shumë herë analizohet një raport i tillë dhe një situatë e krijuar në aspektin politik dhe të arsimit. Askush nuk e analizon aspektin ekonomik dhe dëmet që shkaktohen në aspektin emocional të nxënësit dhe të mësimdhënësit. Duhet të kuptohet se arsimi është arma më e fuqishme e një shteti”, ka thënë ai.

Gërxhaliu ka theksuar se nëse vazhdohet me një konfrontim të tillë do të dëmtohet ardhmëria e arsimit. “Pra, do të ngufatet ardhmëria dhe perspektiva e Republikës së Kosovës. Prandaj, po dëshmohet se në Kosovë mungon një dialog i mirëfilltë publiko-privat, sepse nuk ka gatishmëri për të debatuar në mënyrë të argumentuar. Për fat të keq çdo gjë është politizuar”, ka thënë ai.