Gjykata njeh Kuvendin e Rithemelimit të Sali Berishës, shkarkohen strukturat drejtuese të PD-së

Gjykata e Tiranës ka miratuar kërkesën e grupit të Rithemelimit të Partisë Demokratike për të regjistruar ndryshimet statutore të miratuara në Kuvendin e mbajtur në 11 Dhjetor të vitit të kaluar.

Ky vendim i Gjykatës, i marrë nga gjyqtari Agron Zhukri. legjitimon Komisionin e Rithemelimit dhe Kuvendin e datës 11 Dhjetor të thirrur nga ish-Kryeministri Sali Berisha.

Me njohjen e këtij vendimi, janë shkarkuar strukturat drejtuese të PD-së, siç edhe u kaluan më votë dhe u miratuan gjatë Kuvendit të 11 dhjetorit.

Seanca nisi në orën 10:30. Në këtë Kuvend u shkarkuan drejtuesit e PD-së, ndërsa Grupi i Rithemelimit miratoi statutin e ri, shkruan Gazeta Shqiptare. Gjyqtari që shqyrtoi çështjen është Agron Zhukri, i cili kujtojmë se, nuk pranoi të merrte përsipër çështjen, duke dhënë dorëheqje, por ajo iu refuzua.

Çfarë ndodhi në Kuvendin e 11 dhjetorit të thirrur nga Berisha/ Ndryshimet në Statut:

Kuvendi i thirrur nga Berisha, miratoi ndryshimet në Statut, duke e bërë të pamundur verifikimin e votës së 4934 delegatëve të pranishëm.

Ndryshimet në Statut përfshijnë gati një parti të re, duke zhbërë strukturat drejtuese që ishin, më shkarkim të nënkryetarëve, me logo dhe vulë të re të partisë.

Ndër ndryshimet më të rëndësishme, është neni që detyron kreun e Partisë që në rast se humb zgjedhjet e përgjithshme të largohet dhe në rast se humb zgjedhjet lokale të kalojë në votëbesim.

Në këtë statut, Berisha riktheu referendumin e anëtarëve për vendime të rëndësishme, pikë që e futi në fuqi vetëm një javë më pas, duke zhvilluar referendumin për shkarkimin e Lulzim Bashës.

Ndërkohë që disa ditë më parë gjykata regjistroi statutin e Bashës të korrikut 2021.