Gola: Shqetësuese gjuha e përdorur nga sindikata, Basha e kishte fjalimin me argumente

Kryetari i Komisionit për Arsim, Ardian Gola, thotë se gjuha e përdorur nga SBAShK-u është shqetësuese dhe e papranueshme.

Gola, në Info Magazine në Klan Kosova, tha se për të mirën e përgjithshme i ftuan që të diskutojnë, por se gjuha e përdorur, të cilën e konsideron si politike, nuk i ka kontribuar aspak klimës racionale të diskutimit.

“Për mua ka qenë shumë shqetësuese kur njëri prej eksponentëve sindikalë, duke u përgjigjur në pyetjen e nënkryetarit të komisionit, që e nxori si shqetësim dimrin që po vjen dhe anëtarja e sindikatës thotë po mirë se do të shkojmë në veri. Kjo gjuhë politike jo vetëm që nuk i kontribuon klimës racionale të diskutimit, por edhe e militarizon dhe e bën të vështirë komunikimin racional”.

“Çfarë ndikimi gjuha e tillë në një komision parlamentar, i cili po thërret dhe fton që të diskutohet në mënyrë shumë të matur”, tha Gola.

Gola, mes tjerash, ka folur edhe për përplasjen mes deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, me kryetarin e SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj.

Gola vlerëson se Basha, përpos tonit të ngritur, fjalimin e kishte të bazuar në argumente.