Grushta mbi fjalën e lirë: E përcollën, e sulmuan dhe ikën – si ndodhi sulmi ndaj Valon Sylës?

Në mesnatën e së martës është sulmuar gazetari dhe analisti Valon Syla nga tre persona ende të paidentifikuar, së paku sipas informacioneve zyrtare të policisë së Kosovës.

Tre personat e dyshuar, mendohet të kenë përcjellur Sylën me të dalë nga zyrat e Televizionit T7 deri në lagjën Bregu i Diellit ku edhe ka ndodhur në lokalin e quajtur “Image”.

Sipas informacioneve të deritanishme, sulmuesit e kanë goditur në kokë Sylën me ç’rast i kanë shkaktuar lëndime dhe janë larguar duke ikur nga vendi i ngjarjes.

I pari për gjendjen e gazetarit Syla u deklarua moderatori i emisionit “Pressing” në T7, Leonard Kërquki i cili tha se Syla u sulmua për shkak të profesionit të tij prej gazetari.

Tutje Kërkuqi ka thënë se policia e ka të lehtë identifikimin e autorëve të sulmit pasi i kanë targat e veturës së sulmuesve dhe kamerat e lokalit e kanë kapur ngjarjen .

“Policia e ka rastin e ka targën e veturës besoj edhe kamerat e lokalit aty, besoj lehtësisht munden me qu policinë te autorët e su Besoj se policia e ka lehtësisht identifikimin dhe se pse është sulmuar ai, ai është sulmu për shkak se është gazetar”, ka deklaruar ai.

Për rastin u deklarua edhe vet Syla teksa u shpreh se është në gjendje të mirë. Ai morri tretman në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës teksa u shpreh se tre persona e sulmuan dhe u larguan duke vrapuar.

Edhe drejtori i emergjencës Naser Syla mbrëmë u deklarua lidhur me këtë rast duke thënë se Syla ka pësuar lëndime të lehta në kokë, por nuk ka nevojë për operim.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka dënuar sulmin ndaj gazetarit, Valon Syla, këtë të martë.

AGK-ja këtë sulm e konsideron të papranueshëm dhe përpjekje serioze për të penguar dhe minuar lirinë e shprehjes dhe lirinë e medies në Kosovë, raporton Paparaci.

“Gazetari njëherësh drejtuesi i Gazeta Metro, është sulmuar fizikisht, të hënën në mbrëmje nga tre persona, të cilët dyshohet se e kanë përcjellë atë nga studio e T7, ku ishte i ftuar në debat, deri në lagjen Bregu i Diellit, në Prishtinë. Gazetari Syla ka pranuar trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, teksa sipas deklaratave të tij të para për mediet, ka pësuar lëndime në kokë”.

“Rasti është hapur në Policinë e Kosovës. Ky sulm për Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës është krejtësisht i papranueshëm dhe përpjekje serioze për të penguar dhe minuar lirinë e shprehjes dhe lirinë e medies në Kosovë” thuhet në njoftim.

Mes tjerash, AGK-ja u ka bërë thirrje institucioneve kompetente që të marrin masat e duhura që urgjentisht të arrestojnë personat përgjegjës për sulmin dhe që ata të vihen para drejtësisë.

Nga krerët e shtetit, ishte kryekuvendari Glauk Konjufca ai që reagoi. Në reagimin e tij, Konjufca ka thënë së kjo është një shkelje e rëndë e lirisë së shtypit “dhe e të drejtave të njeriut, dhe nuk mund të tolerohet kurrsesi në një shoqëri demokratike”.

“Ata kanë të drejtën e garantuar në Kushtetutën dhe ligjet e vendit tonë për të kryer detyrën e tyre profesionale pa frikë dhe pa ndonjë censure apo presion të jashtëm.

Sulmi ndaj tyre është një krim i cili nuk përkon as me kulturën dhe as me traditën tonë shqiptare.

Kërkohet që organet kompetente të ndërmarrin hapat e nevojshëm për t’i sjellë autorët e sulmit para drejtësisë!

Solidarizohemi me Valonin dhe i dëshirojmë shërim sa më të shpejtë”, thuhet në reagimin e Konjufcës.

Kujtojmë se gjatë ditës së djeshme, Syla ka ngritur dilema lidhur me financat dhe të ardhurat e hoxhollarëve në Kosovë të cilat nuk kontrollohen nga askush.

Dyshimet e para janë ngritur se sulmi ndaj tij ka të bëjë me këtë, por organet e mbikëqyrjes së zbatimit të ligjit ende nuk kanë dhënë informacione për të dyshuar, arrestime ose arsye të sulmit ndaj gazetarit Valon Syla për shprehjen e mendimit të lirë.