Guvernatori i BQK-së takon ambasadotin amerikan, flasin për rregulloren që e ndalon dinarin

Guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili ka takuar sot ambasadorin e SHBA-ve në Kosovë, Jeff Hovenier, ku e njoftoi me zhvillimet kryesore në sistemin financiar, avancimin e kornizës ligjore dhe rregullative, aktivitetet që kanë të bëjnë me qëndrueshmërinë dhe integritetin e sistemit financiar, zbatimin e objektivave dhe Planin e ri Strategjik 2024-2028 të BQK-së.

Sipas njoftimit për media nga BQK, thuhet se gjatë këtij takimi, guvernatori Ismaili ka sqaruar aspektet kryesore që trajton Rregullorja e re për Operacionet me Para të Gatshme dhe efektet e saj, duke argumentuar dhe sqaruar pozicionin e saj.

“Avancimi i kornizës rregullative për luftimin e dukurisë së parave të falsifikuara dhe furnizimit të rregulluar e transparent të ekonomisë me para të gatshme, që kontribuojnë në ruajtjen dhe rritjen e integritetit të sistemit financiar dhe vet valutës Euro, ishin ndër temat kryesore të këtij takimi informues”, thuhet në njoftim.

Guvernatori Ismaili ka përmendur edhe ndryshimet tjera legjislative të miratuara nga BQK-ja bazuar në planin e saj, që së bashku me këtë Rregullore kanë për synim adaptimin e praktikave më të mira që lidhen me ruajtjen e integritetit të valutës Euro dhe sistemit financiar në përgjithësi.