Bedri Hamza dhe Albin Kurti kanë vazhduar të takohen me njëri-tjetrin një javë pasi dy liderët u dakorduan për zgjedhjen e presidentes.
Dy liderët janë takuar të hënën për të diskutuar rreth strategjisë së mbrojtjes së ish-krerëve të UÇK-së në fazën e Apelit në Gjykatën Speciale, ka bërë të ditur sot Bedri Hamza, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës.
Hamza ka thënë se me kryeministrin Kurti ka diskutuar për themelimin e Grupit Punues për Strategjinë e Mbrojtjes për Apelin në rastin e ish-katër krerëve të UÇK-së në Hagë.
“Jemi takuar sërish para dy ditësh, për çka e falënderoj dhe si rrjedhojë e diskutimeve dje është miratuar themelimi i grupit punues për strategjinë e mbrojtjes në fazën e Apelit. Por, tani duhet të kalojmë nga vendimet te veprimet”, ka deklaruar Hamza në Kuvendin e Kosovës të enjten. “Na duhet një strategji e mirëfilltë shtetërore, me përgjegjësi të qartë, afata konkrete dhe rezultate të matshme që udhëhiqen nga interesi afatgjatë i shtetit tonë”.
Hamza tha se shteti duhet të sigurojë mbështetjen e nevojshme institucionale për rastin e ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.
Në ditët e ardhshme, Hamza tha se pret të rritet fondi për mbrojtjen juridike të të dënuarve në Hagë.