Hoti: Si do të arsyetohet Kurti që i mban 700 milionë euro në bankë pa nevojë

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka kritikuar takimet publike për buxhetin e vitit 2023 të cilat Qeveria e Kosovës i ka nisur të martën në Prizren.

Sipas Hotit, këto takime janë farsë pasi konsultimet për buxhet do të duhej të mbaheshin para përgatitjes së buxhetit.

“Konsultime për buxhet do të duhej të mbaheshin me biznese për mosrealizimin e investimeve kapitale. Konsultime do të duhej të mbaheshin me Kryetarët e Komunave për nevojat e tyre, të cilëve Qeveria po tenton tua marrë buxhetin nga të hyrat vetanake të viteve paraprake. Para përgatitjes së buxhetit do duhej të bisedohej me organizata buxhetore, të cilat për shkak të shkurtimeve buxhetore nuk kanë mundësi të ofrojnë shërbimet për të cilat janë të mandatuar, siç është rasti i RTK-së apo i universiteteve publike”, ka shkruar Hoti.

Ai ka shtuar se kryeministri duhet të arsyetohet për afro 700 milionë euro që i mban në bankë siç ka thënë, pa nevojë.

“Si do të arsyetohet Kryeministri para qytetarëve për afër 700 mil euro që i mban në bankë pa nevojë, e nuk i rrit pagat e policëve, të mjekëve, të arsimtarëve, të shërbyesve civil etj., të cilëve u janë zvogëluar pagat për 20% për shkak të inflacionit?! Si do të arsyetohet Ministri i Financa për 276 mil euro apo 9% e buxhetit total për 2023, të cilën shumë e mban të pashpërndarë në projekte, që është sa dyfishi i buxhetit të Ministrisë së Mbrojtjes?! Si do të arsyetohen qeveritarët që sivjet nuk i realizuan projektet kapitale – as projektet në vazhdim e as të rejat që ishin projekte që vetë i planifikuan?!”, ka përfunduar Hoti postimin e tij në Facebook.