IKSHPK-ja paralajmëron se dy variante të Omicronit po përhapen me shpejtësi në Kosovë

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka njoftuar të martën se dy variantet e Omicronit BA.1 dhe BA.2 po vazhdojnë të përhapen me pasoja të rënda për shëndetin e qytetarëve dhe me raste fatale.

Përmes një njoftimi në Facebook, IKSHPK-ja ka bërë thirrje për kujdes duke rikujtuar se virusi është kudo dhe nuk duhet neglizhuar rekomandimet themelore për mbajtje të maskës, distancës dhe higjienës.

IKSHPK-ja thotë se është duke vazhduar pandërprerë me testimin dhe gjurmimin e të gjitha rasteve, kontakteve të rasteve në komunitet dhe diagnostikimin laboratorik, derisa ka bërë thirrje që të gjithë personat me kokëdhembje, kollitje, dhembje fyti, vështirësi në frymëmarrje, rrjedhje hundësh, temperaturë, plogështi, humbje të shijes, të testohen.

“Situata epidemiologjike akoma është e rëndë, e javët e fundit me rritje të rasteve në Evropë dhe në botë, andaj IKSHPK-ja apelon tek të gjithë qytetarët që të respektohen masat e Qeverisë së Republikës së Kosovës. Për shkak të rrezikshmërisë së lartë të përhapjes së COVID-19, bëjmë thirrje në veçanti për kujdes dhe mosgrumbullim. Ndërsa, rekomandojmë institucionet përgjegjëse të mbikëqyrin me përpikëri dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e masave për parandalimin dhe luftimin e pandemisë”, thuhet në njoftim.

IKSHPK-ja njofton se është i domosdoshëm kujdesi i shtuar i të gjithëve që në mënyrë strikte të respektohet distanca fizike, të përdoren maskat, të bëhet dezinfektimi dhe ajrosja e hapësirave, duke pamundësuar dhe shmangur përhapjen eventuale të mëtejme të infeksionit të COVID-19 dhe parandalimin e valës së re.

“Omicron është tejet ngjitës, andaj mbani maskat në çdo vend, mbani distancën mbi dy metra edhe në mjedise të hapura edhe po qe se të gjithë bartin maska. Duke qenë se vaksinimi është mënyra më e mirë dhe më e sigurt për të parandaluar COVID-19, veçanërisht format e rënda të sëmundjes dhe vdekjet, ne vazhdojmë të apelojmë fuqishëm për vaksinim sa më gjithpërfshirës, sa më të gjerë dhe sa më të shpejtë të popullatës nga mosha 12 vjeçare. Vaksinat mund të merren çdo ditë në të gjitha institucionet e kujdesit parësor në komunën tuaj. Gjithashtu apelojmë për vaksinimin me dozën përforcuese dhe dozën e tretë që mund ta marrin të gjithë qytetarët e moshës mbi 18 vjeçare”, thuhet tutje në njoftim.