Inaugurohet Parku Industrial në Budrikë të Vitisë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në inaugurimin e Parkut Industrial në fshatin Budrikë të Komunës së Vitisë, investim kapital ky prej 1.7 milionë euro nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, në hapësirë prej 15.5 ha.

Bëhet e ditur se parku Industrial do të mbështesë investimet e përgjegjshme dhe të qëndrueshme të bizneseve nga diaspora dhe të huaja; do të nxisë veprimtari prodhuese dhe përpunuese me teknologji të përparuar; do të ofrojë punësimin dhe aftësimin për të rinjtë si shtyllë e zhvillimit dhe transformimit progresist në vendin; si dhe do të rrisë bashkëpunimin ndërmjet bizneseve dhe promovimin e tyre, për një ekosistem inovativ për rritje të konkurrueshmërisë, për më shumë eksporte e më pak deficit tregtar.

“Këtë fundvit, këtu në Budrikë të Vitisë po e përmbyllim me punë të mira e të dobishme për bizneset tona, përkatësisht për qytetarët tanë, ndërmarrës e punëtorë të vyer”, tha kryeministri në fillim të fjalës së tij, për të shtuar pastaj se Parku Industrial i sapondërtuar këtu, e që pritet të akomodojë rreth 30 biznese, do të japë një kontribut të rëndësishëm për rritjen e zhvillimit ekonomik dhe rajonal.

Duke folur për përfitimet nga ky park industrial, që kryeministri tha se përveç bizneseve, bashkë me to do të përfitojnë edhe të rinjtë tanë, të cilëve ky  park industrial do t’u ofrojë hapësirë inkubimi dhe krijimit të biznesit fillestar, paralajmëroi se në tri vitet e ardhshme do të investohen edhe 33 milionë euro për ndërtimin e parqeve të reja industriale dhe teknologjike”, deklaroi Kurti.

Në fund të fjalës së tij, kryeministrit u shpreh i bindur që edhe ky park në Budrikë të Vitisë do të jetë një nga mundësitë dhe arsyet e progresit dhe zhvillimit.