Javën e ardhshme nis shqyrtimi i aplikimeve për 100 euro nga sektori privat

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka bërë të ditur se javën e ardhshme pritet të formohet komisioni shqyrtues i cili do t’i trajtojë aplikimet për shtesën prej 100 euro për muajin prill, për të gjithë punëtorët e sektorit privat.

Murati ka thënë në një konferencë për media të premten, se me të filluar shqyrtimi, do të nisin edhe pagesat për këtë kategori.

“Prej javës tjetër do të formojnë komisionin shqyrtues që do të trajtojë të gjitha aplikimet dhe të fillojë pagesat për këtë kategori”, është shprehur Murati.

Ai ka shtuar se janë drejt finalizimit të formularit për aplikim edhe për studentët.

Murati ka përmendur edhe shtimin e numrit të personelit shëndetësor për mjekësinë familjare, prej 299 personave.

“Është shtuar numri i personelit shëndetësor për mjekësinë familjare prej 299 personave dhe janë miratuar politika të reja që parashohin mbulimin e vizitave në shtëpi për nënat lehona dhe fëmijët dhe personat me sëmundje të rënda që mund të mos jenë të lëvizshëm apo kanë nevojë për kujdes intensiv”, ka thënë Murati.

Qeveria ka marrë vendim këtë muaj që të ndajë nga 100 euro shtesë për muajin prill, për të gjithë pensionistët, familjet me asistencë sociale, punëtorët e sektorit publik, ata të sektorit privat dhe studentët.