Joshua e Usyk premtojnë një mbrëmje të madhe boksi

Anthony Joshua dukej jo shumë masiv, por i fuqishëm, ndërsa peshoi 109 kilogramë në prag të meçit tjetër të madh të boksit profesionist. Ylli Joshua është i gatshëm për mbrojtjen e titujve botërorë në peshën e rëndë.

Britaniku, të shtunën mbrëma, bokson kundër boksierit nga Ukraina, Oleksandr Usyk. Kampioni botëror në tri versione të mëdha, Joshua, peshonte gati nëntë kilogramë më tepër se Usyku (100 kg) në matjet zyrtare të premten. Boksieri britanik kishte të njëjtën peshë sikurse në luftën e tij të fundit.

Joshua 31-vjeçar ka humbur kilogramët vitet e fundit, duke i lënë fansat të pyesin nëse ai po dobësohet qëllimisht. Duket se Joshua e di se cila është pesha e tij më e mirë kur e ka një kundërshtar të veçantë në mendje, në këtë rast Usykun. Të njëjtën peshë, Joshua, që kundër Usukyt mbron titujt në versionet WBA, IBF e WBO, e kishte në meçin kundër Kubrat Pulevit të zhvilluar në muajin dhjetor të vitit të shkuar. Pati fituar me ndërprerje.

“Në të vërtetë nuk e shikoj fare peshën time. Unë jam ky që jam. Nuk e di se për çfarë arsye po bëhet çështje pesha ime”, tha Joshua, që dukej i relaksuar gjatë matjeve zyrtare.

Joshua ka 10 centimetra më shumë se Usyku. Meçi i tyre do të zhvillohet të shtunën në stadiumin e Tottenhamit në Londër para 60 mijë tifozëve.

Pas matjeve, Joshua dhe Usyku shkuan ballë për ballë në një vështrim intensiv si paralajmërim se meçi i tyre për titullin e botës do të jetë shumë i fortë. Pas shikimit të ftohtë, Joshua tha se është i gatshëm për fitoren e radhës.

“Tash jam në gjendje t’i bëj 12 raunde me lehtësi për shkak se pesha e bën dallimin. Kur kam qenë edhe më i rëndë, kam qenë i mirë dhe tani me këtë peshë nuk dyshoj në veten time”, shtoi Joshua përpara se ta tregojë synimin e qartë në luftën e tij të 11-të për titull bote.

“Nuk kam asnjë plan përveç fitores”.

Oleksandr Usyk është sfidues i detyrueshëm i WBO-së. Ai mbërriti në Londër me bilanc plotësisht pozitiv, një teknikë supreme dhe një personalitet të fortë. Një kampion i padiskutueshëm botëror i kategorisë kruzer, që kaloi në kategorinë e rëndë, Usyk do të jetë i “armatosur” përballë Joshuas me këshillat e bashkatdhetarit Wladimir Klitschko – ukrainasi i fundit që ka mbajtur titull bote në peshën e rëndë, para humbjes nga Joshua në vitin 2017, gjithashtu në Londër.

Usyk deri më tani ka luftuar vetëm dy herë në kategorinë e rëndë.

“Respekt? Frikë? Është vetëm një luftë. Unë nuk jam person që nuk i respektoj kundërshtarët, përderisa ata tregohen të respektueshëm me mua. Unë e respektoj njeriun shumë, sepse ka arritur gjëra fenomenale”, insistoi Joshua. “Ndoshta përballë kam një boksier më të shkurtër, por është një luftëtar i fortë dhe shumë i shpejtë. Kështu që jam gati për këtë luftë të rëndësishme, të cilën padyshim se dua ta fitoj”.

Ndërkohë, Usyku u mundua ta minimizojë rëndësinë e gjatësisë. Ai nuk pajtohet me ata që mendojnë se ukrainasi nuk ka madhësinë dhe forcën për ta mposhtur kampionin botëror, duke thënë se “fuqia është në shpirtin e tij”. Usyku ka 18 meçe pa humbje si profesionist.

“Njerëzit flasin shumë … do të shohim të shtunën se çfarë ndodh … sepse fuqia është në shpirtin tuaj, nuk ka të bëjë me të qenët i madh apo i vogël. Mua aspak nuk më intereson kjo, sepse fokusi im është ta mposht Joshuan”, tha Usyku. “David Haye ishte tre herë më i vogël se Nikolai Valuev, gjë që tregon se nuk ka rëndësi”.

Rrugët e boksierëve drejt majës së boksit janë të ngjashme. Të dy fituan medalje të arta brenda një dite në Lojërat Olimpike “Londra 2012” – Joshua në peshën super të rëndë, kurse Usyku në peshën e rëndë. Të dy u bënë profesionistë në vitin 2013. Të dy u bënë kampionë botërorë për herë të parë në vitin 2016, megjithëse Usyku ishte në kategorinë kruzer. Po ashtu, të dy kanë pranuar se përballja e së shtunës do të jetë një “meç i mendjeve të boksit”.

“Kjo do të jetë një luftë midis dy mendjeve të boksit, dy intelektualëve të boksit. Ai me më shumë durim, për të kaluar nëpër të gjithë presionin në luftë, do të marrë fitoren”, ka pranuar ukrainasi Usyk. “Duhet të kem përqendrim dhe të sigurohem se trurin e kam në funksion. Ky meç është shumë i mundimshëm në aspektin psikologjik, kështu që jam përgatitur mendërisht për të qenë maksimalisht i përqendruar gjatë 12 raundeve dhe kjo është shumë e rëndësishme”.

Ndërkohë, Joshua duelin me Usykun e ka quajtur “lojë shahu”.

“Kam pësuar shumë humbje në tabelën e shahut dhe është dashur të përmirësohem. Këtë e kam mësuar, kështu që jam plotësisht gati edhe për këtë meç të rëndësishëm në karrierë”, shtoi ai.

Joshua shpreson ta mposhtë Usykun jo vetëm për t’ia shkaktuar humbjen e parë, por edhe të qëndrojë në rrugën e duhur për një betejë tjetër të suksesshme me Tyson Furyn, i cili mbron titullin në versionin WBC kundër amerikanit Deontay Wilder në Las Vegas muajin tjetër, saktësisht më 9 tetor.

Joshua ka bilanc prej 24 fitoresh e një humbje. 22 prej fitoreve i ka me ndërprerje. Usyku 13 prej 18 fitoreve i ka me ndërprerje.