Komisioni i FFK-së konstatoi se Vokrri ka pesë nënshkrime të pavlefshme

Komisioni për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor të Kuvendit të rregullt zgjedhor për kryetar të FFK-së, i themeluar sipas vendimit të Komitetit Ekzekutiv të FFK-së më 2 mars, ka refuzuar kandidaturën e Gramoz Vokrrit, ndërsa ka aprovuar atë të kryetarit aktual, Agim Ademit. Në arsyetimin 6-faqësh të Komisionit janë dhënë edhe arsyetimet e aprovimit, përkatësisht refuzimit të kandidatëve për kryetar të FFK-së.

Emrat e Komisionit nuk janë bërë të ditur, por është vlerësuar se Vokrri nuk i ka plotësuar kriteret për të qenë kandidat për kryetar në Kuvendin Zgjedhor të thirrur për 6 prill.

“Marrë për bazë faktet e konstatuar dhe duke u bazuar në këtë dispozitë statutare, Komisioni ka ardhur në përfundim se meqenëse në mbështetje të kandidatit Agim Ademi për kryetar të FFK-së janë 43 nënshkrime të vlefshme, të cilat janë afatshme, atëherë kandidati e plotëson këtë kusht statutar për të qenë kandidat për kryetar të FFK-së. Komisioni pas verifikimit të nënshkrimeve të delegatëve të Kuvendit të FFK-së ka konstatuar se në mbështetje të Gramoz Vokrrit për kryetar të FFK-së janë gjithsej 13 nënshkrime të vlefshme të delegatëve të ligjshëm të Kuvendit të FFK-së, kurse të pavlefshme janë pesë nënshkrime. Komisioni ka vlerësuar se të pavlefshme janë nënshkrimi mbështetës i Naim Biçkajt, dy nënshkrimet mbështetëse të Rrahman Haradini, nënshkrimi mbështetës i Artan Osmanti dhe nënshkrimi mbështetës i Bajram Shabanit”, thuhet ndër të tjera në arsyetimet e FFK-së.

Sipas FFK-së, Komisioni verifikues ka kontestuar nënshkrimet që kanë ardhur nga Prishtina, Ulpiana e Kika për Gramoz Vokrrin. Ndërkohë është aprovuar kandidimi i Agim Ademit për kryetar me 43 nënshkrime. Rrjedhimisht Ademi mbetet kandidati i vetëm.

“Marrë për bazë faktet e verifikuara dhe në kuptim të dispozitës statutare nga neni 30, paragarafi 4, 39 paragrafi 3 të Statutit të FFK-së, Komisioni ka ardhur në përfundim se meqenëse në mbështetje të kandidatit Gramoz Vokrri për kryetar të FFK-së janë 13 nënshkrime të vlefshme, të cilat nuk janë të mjaftueshme dhe janë të pasafatshme, atëherë ky kandidat nuk i plotëson këto kushte statutare për të qenë kandidat për kryetar të FFK-së. Komisioni vlerësoi se kandidati Agim Ademi i plotëson të gjitha kushtet dhe kriteret statutare si kandidat për kryetar të FFK-së”.

Po ashtu është thënë nga Komisioni se Vokrri “nuk është i asocuar me asnjërën nga anëtarët e FFK-së, nuk është i zgjedhur apo anëtar i emëruar i FFK-së, nuk është aktiv në organizatën e futbollit, kurse i njëjti me asnjë provë nuk ka vërtetuar se i plotëson këto kritere. Po ashtu Gramoz Vokrri nuk ka sjellë as dëshminë nga Gjykata se i njëjti nuk është i dënuar me aktgjykim të plotfuqishëm për vepër penale”.

Ndërkohë, për Ademin është konstatuar nga Komisioni se i plotëson të gjitha kriteret, nuk është i larguar apo suspenduar më herët nga FFK-ja apo anëtarët e saj. Po ashtu ka konfirmime nga UEFA që dëshmon se Ademi nuk ka dënim dhe nuk është i dënuar me aktgjykim të plotfuqishëm për vepër penale në Kosovë, derisa i njëjti ka dorëzuar propozimin me dokumentet – nënshkrimet mbështetëse të delegatëve brenda afatit të përcaktuar me Statut.