Kosova dhe Serbia pa dokumente për hyrje – dalje

Serbia ndërpreu lëshimin e dokumentit për hyrje/dalje për shtetasit e Kosovës.

Me një dokument të tillë, që është cilësuar si zëvendësim për letërnjoftimin, kosovarët janë pajisur me të hyrë në territorin e Serbisë, tash e 11 vjet.

Dragan Mirosavleviq, profesor në Universitetin e Mitrovicës, që më 1 shtator hyri në Kosovë përmes pikëkalimit në Merdarë, tha për Radion Evropa e Lirë, se në kufi gjithçka shkoi mirë.

Ai nuk komentoi marrëveshjen, duke thënë se nuk shikon shumë lajme.

Në Jarinjë, Liridon Shala nga Podujeva, që kaloi kufirin për në Serbi me dokumente të Kosovës, tha se edhe kur kanë qenë dokumentet për hyrje/dalje për të nuk ka qenë problem. Por, me heqjen e tyre, ai thotë se po i duket sikur të jetë në Bashkimin Evropian.

“Pa problem kemi kaluar, nuk kemi pasur problem as kur kanë qenë letrat [dokumentet për hyrje/dalje] vetëm se është dashur t’i marrim ato tek autoritet serbe, nuk kemi pasur problem kurrë, asnjë pengesë nuk e kemi pasur. Sot normal që më mirë, sikur të ishte Bashkimi Evropian na u duk, se gati njësoj”, tha ai për REL-in.

Nebojsha Llekiq nga Preoc, në Komunën e Prishtinës, tha se marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë për dokumente kryesisht vlen për veriun e Kosovës sepse serbët në jug kanë dokumente të të dyja shteteve.

“Unë i kam të dy letërnjoftimet, kështu që ne nuk kemi ndonjë problem. Krejt kjo marrëveshje më duket se është kryesisht për serbët në veri. Përndryshe, mospranimi i dokumenteve vetëm sa e vështirëson komunikimin e shtetasve, pa marrë parasysh a janë shqiptarë apo serbë”, tha ai për REL-in, teksa hyri në Kosovë nga Serbia përmes pikëkalimit kufitar në Merdarë.