Qeveria e Kosovës të premten e ka larguar tarifën doganore për mallrat nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se kjo dëshmon marrëdhëniet e mira me SHBA-në.
“Tani e tutje të gjitha produktet nga SHBA do kenë zero për qind tarifë kur të hyjnë në Kosovë. Kosova i mirëpret produktet amerikane në tregun e saj dhe besojmë fuqishëm se kjo do të ndikojë në rritjen e këmbimit tregtar dhe shtimin e investimeve”, ka thënë ai në mbledhjen e Qeverisë.
E, presidentja Vjosa Osmani ka shkruar në platformën X se Kosova është partner i besueshëm për Amerikën.
“Jemi krenarë që jemi shteti i parë që kemi propozuar për heqjen e të gjitha barrierave ndaj aleatit tonë strategjik”, ka shkruar ai, ndërsa ka bashkëngjitur kërkesën kur ajo ia pati bërë Qeverisë së Kosovës më 3 prill për heqjen e tarifave ndaj mallrave amerikane.
Vendimet e tjera të qeverisë:
Qeveria në mbledhjen e 1 gushtit mori disa vendime. Një prej tyre ishte emërimi i Hysen Musliukaj si Drejtor të Përgjithshëm të Institutit të Kosovës për Administratë Publike.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv për vendosjen e tarifave që variojnë nga 10% deri në 41% për importet nga dhjetëra partne
Ka pezulluar marrëdhënien e punës për Sekretarin e Ministrisë së Zhvillimit Rajonal, Besim Kamberaj, për shkak të ngritjes së një aktakuze lidhur me detyrën e tij zyrtare. Ai akuzohet bashkë me ministrin e Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, për “keqpërdorim të pozitës zyrtare”.
“Pezullimi nga detyra në rast të ngritjes së aktakuzës është obligim ligjor i qeverisë”, ka thënë ministri në detyrë i Brendshëm, Xhelal Sveçla.
Janë ndarë 295 mijë euro për dy komuna. Komuna e Podujevës do të përfitojë 178 mijë euro, ndërsa ajo e Shtimes 117 mijë euro, me qëllim të realizimit të projekteve për menaxhimin e ujërave të zeza. Vendimi është marrë me rekomandim të Ministrisë së Financave.
Qeveria ka ndarë gjithashtu nga 20 mijë euro për familjet e zjarrfikësve Lima dhe Osmanaj, të cilët vdiqën gjatë kryerjes së detyrës.
Ka aprovuar katër projekte kapitale të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit si projekte shumëvjeçare, sipas Ligjit mbi ndarjet Buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës, për vitin 2025, për rinovimin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës; Projekti i Lokaliteti arkeologjik në Dresnik; Rinovimi i Ndërtesës së Arkivit Shtetëror të Kosovës dhe Rinovimi i Stadiumit të Podujevës.