Kosova kushtëzon takimin Kurti -Vuçiq me “formalizimin” e marrëveshjes, vjen reagimi nga Brukseli

Një takim i radhës i nivelit të lartë Kurti-Vuçiq po kushtëzohet nga Kosova me formalizim të Marrëveshjes së Ohrit dhe Aneksit të Implementimit. Ky ka qenë qëndrimi që Kurti ia ka thënë emisarit sllovak Miroslav Lajcak në takimin që kanë pasur bashkë. Megjithatë për BE-në të dy marrëveshjet janë ligjërisht obligative për të dy palët dhe do të jenë pjesë përbërëse e perspektivës evropiane të të dy vendeve. Kështu ka konfirmuar për Gazetën Express zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

Numri dy i Qeverisë së Kosovës, Besnik Bislimi, në konferencën e mbajtur për media më 31 janar të këtij viti, ka thënë se në takimin e fundit në mes të emisarit sllovak Miroslav Lajcak dhe kryeministrit Albin Kurti është thënë se do të ishte mirë të organizohej një takim i nivelit të lartë, megjithatë qëndrimi i Kosovës ka qenë se një i tillë s’do të kishte vlerë derisa Serbia s’shpreh gatishmëri për ta nënshkruar marrëveshjen dhe për ta implementuar atë.

Lidhur me këtë kushtëzim të Kosovës rreth zhvillimit të një takimi të nivelit të lartë Kurti-Vuçiq, nka folur zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

Stano ka thënë se BE-ja e përsërit që Marrëveshja është obligative në gjithë tërësinë e saj dhe se implementimi i saj do të jetë pjesë integrale e perspektivës evropianë të të dy vendeve.

Zëdhënësi i BE-së ka thënë e Marrëveshja bashkë me Aneksin e Implementimit është bërë ligjërisht obligative përmes qëndrimit të shkruar të Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Josep Borell.

Stano ka thënë se ky është qëndrim i palëkundur i BE-së i përsëritur publikisht në shumë raste.

“Bashkimi Evropian përsërit se Marrëveshja është e detyrueshme në tërësinë e saj për të dyja palët. Zbatimi i tij do të jetë pjesë integrale e rrugës së tyre përkatëse evropiane. Marrëveshja me aneksin e saj të zbatimit është bërë ligjërisht e detyrueshme përmes deklaratës me shkrim të Përfaqësuesit të Lartë të datës 18 mars 2023. Ky ka qenë qëndrimi konsistent i BE-së, i cili gjithashtu është komunikuar publikisht në disa rast”, ka thënë Peter Stano.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, në konferencën për media të mbajtur javën e kaluar ka thënë se takimi i nivelit të lartë është përmendur si ide që do të ishte mirë të ndodhte, megjithatë qëndrimi i Kosovës ka qenë se një takim i tillë s’do të kishte vlerë pa pasur gatishmërinë e Serbisë për ta formalizuar marrëveshjen.

“Në takimin që Lajcak ka pasur me kryeministrin Kurti, është prekur si ide, ia vlen të ketë një takim të nivelit të lartë, por ne mendojmë se që pa pasur diçka rezultat, pa pasur gatishmëri të Serbisë që të lëvizet me formalizimin e marrëveshjes dhe përkushtimin për zbatimin e saj nuk ia vlen të ftohen takime të cilat pastaj nuk nxjerrin asnjë rezultat meqë takime të tilla krijojnë pritshmëri tek palët”, ka thënë Bislimi.

Për formalizim të marrëveshjeve ka folur edhe presidentja e Kosovës Vjosa Osmani. Duke komentuar Draftin e Asociacionit, Osmani ka përmendur formalizimin e marrëveshjeve si hap që duhet të ndodh para dërgimit të Draftit të Asociacionit në Gjykatë Kushtetuese.

“Kurdo që ky draft, pas formalizimi të marrëveshjeve, pas procedurave të formalizimit të marrëveshjeve, shkon në Kushtetuese, atëherë secili prej nesh si institucione do të kemi mundësinë që të tregojmë argumentet tona pse mendojmë se dispozita të caktuara mund të krijojnë probleme dhe sfida të mëdha gjatë zbatimit”, ka thënë presidentja Osmani.