Kosova në zonën e rrezikuar nga tërmetet

Shemsi Mustafa nga Instituti Sizmologjik i Kosovës ka deklaruar se Kosova është zonë aktive e tërmeteve, mirëpo nuk gjendet në listën e vendeve me zonë shumë aktive, siç janë Greqia, Italia, Shqipëria e të tjera.

Megjithatë, ai tha se nuk duhet të injorohen tërmetet e fuqishme që ndodhin tek vendet fqinje pasi mund të shkaktojnë pasoja edhe tek ne.

“E kuptoj shqetësimin sepse çdo tërmet që godet vendet e rajonit, do të lëkundë një territor me rreze rreth 300-400 km. Kosova i ka të rrezikuara disa zona. Sipas hartës së rrezikut sizmik e katalogut historik të tërmeteve, Kosova në të kaluarën është goditur në disa zona me tërmete shumë të fuqishme. Në vitin 1456 zona e Prizrenit me 6.0 shkallë. Në 1662-n zona e Pejës me 6.0 shkallë, ndërsa tërmet i studiuar mirë ka ndodhur në vitin 1921, në zonën Ferizaj-Gjilan-Viti, me 6.1 shkallë të Rihterit”, deklaroi ai për KTV-në.

Mustafa theksoi se çështje kyçe është respektimi i kritereve të ndërtimit.

“Çdo kryefamiljar duhet të bisedojë me familjarët nëse ndodhë tërmeti, si duhet të veprohet. Tërmeti zgjat disa sekonda deri në 10, bazuar në këtë, nuk të jep mundësi për 2-3 sekonda që të largohesh nga objekti. Duhet të gjendet një objekt si tavolina derisa të ndalet tërmeti”, tha ai.

Sizmologu potencoi se në të ardhmen Kosova mund të goditet nga tërmete të fuqishme.