KQZ i reagon Bekim Jasharit: Në ditën e zgjedhjeve, shkollat e shndërruara në Qendra Votimi i menaxhojmë ne


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka reaguar kryetarit të Skenderajt, Bekim Jasharit, ku ky institucion ka thënë se në ditën e zgjedhjeve, shkollat që do të shndërrohen në Qendra të Votimit do t’i menaxhojë vetë KQZ’ja. Ky reagim erdhi për shkak se i pari i Skenderajt konsideroi të papranueshme kërkesën e KQZ’së që të largohen kamerat e sigurisë në ditën e zgjedhjeve. 

Këtë reagim KQZ’ja e bëri përmes një komunikatë për medie, ku tha se qendrat e votimit menaxhohen dhe mbikqyren nga KQZ, e jo nga komunat dhe kryetarët e tyre.

“Të gjitha objektet shkollore të cilat shndërrohen në Qendra të Votimit menaxhohen dhe mbikëqyren nga KQZ. Ato nuk menaxhohen dhe as nuk mbikëqyren nga komunat dhe kryetarët e tyre”, thuhet në komunikatë. 

Më poshtë gjeni komuniakën e plotë:

Sqarim lidhur me menaxhimin e Qendrave të Votimit dhe Vendvotimeve

Prishtinë, 13 shkurt 2021 – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e sheh të nevojshme të njoftojë dhe sqarojë qytetarët e Republikës së Kosovës lidhur me menaxhimin e Qendrave të Votimit dhe Vendvotimeve, pas paqartësive të krijuara në opinion. 

Në ditën e zgjedhjeve, të gjitha shkollat të cilat shndërrohen në Qendra të Votimit janë në kompetencë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. 

Po ashtu, të gjitha objektet shkollore të cilat shndërrohen në Qendra të Votimit menaxhohen dhe mbikëqyren nga KQZ. Ato nuk menaxhohen dhe as nuk mbikëqyren nga komunat dhe kryetarët e tyre. 

Të gjitha rregullat për të gjitha Qendrat e Votimit gjithandej Republikës së Kosovës janë unfiorme dhe vlejnë njësoj për të gjitha, në të gjitha komunat. Këto rregulla kanë qenë të tilla edhe në proceset e kaluara zgjedhore dhe nuk kanë pësuar asnjë ndryshim.