Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka nisur procesin e numërimit të votave për kandidatët për deputetë pas zgjedhjeve të parakohshme të 7 qershorit, ka njoftuar zëdhënësi Valmir Elezi.
Numërimi po zhvillohet në 38 Qendra Komunale të Numërimit, ku janë angazhuar mbi 2,200 anëtarë të organizuar në 508 ekipe, që përfaqësojnë subjekte të ndryshme politike. Procesi po zhvillohet me dy ndërrime pune.
Sipas KQZ-së, në vendvotimet e rregullta tashmë është përmbyllur numërimi i votave për subjektet politike, ndërsa materialet zgjedhore janë transportuar në qendrat komunale për fazën e dytë të procesit, që përfshin verifikimin dhe numërimin e votave të kandidatëve.
Elezi tha se procesi ka nisur fillimisht në 15 komuna, ndërsa gjatë ditës është shtrirë edhe në 23 të tjera, përfshirë Prishtinën, Prizrenin, Ferizajn dhe Mitrovicën e Jugut.
KQZ gjithashtu njoftoi se votimi jashtë Kosovës në përfaqësi diplomatike ka shënuar pjesëmarrje prej 80.85%, me 22,414 votues nga 27,724 të regjistruar. Ndërkohë, të dhënat për votimin përmes postës ende nuk janë përmbyllur.
Procesi i numërimit pritet të vazhdojë në ditët në vijim nën mbikëqyrjen e komisionit zgjedhor.