KQZ sot shpall rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve lokale

Sot pritet të shpallen rezultatet përfundimtare të rezultateve të raundit të parë të zgjedhjeve lokale që u mbajtën më 17 tetor në Kosovë.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, përmes një njoftimi ka bërë të ditur se të enjten në ora 10:00 pritet që të njëjtat të bëhen publike.

Një ditë më parë janë numëruar edhe votat me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta.

Ndryshe, javën e kaluar KQZ ka miratuar planin operacional për organizimin e raundit të dytë të zgjedhjeve.

Fushata zgjedhore për balotazhin do të jetë pjesë ditë, nga 8 nëntori deri më 12 nëntor.

Për votuesit nga jashtë që janë regjistruar nga 10 korriku deri më 18 gusht, KQZ ka vendosur 15 ditë në dispozicion që t’i dërgojnë fletëvotimet e tyre përmes postës.

Kjo do të fillojë nga 29 tetori, ndërkaq fletëvotimet duhet të pranohen nga KQZ më së largu deri më 12 nëntor.