Krasniqi: Sikur të mos fitoja do të ishte përfundimi i karrierës, ky është veç fillimi

Haxhi Krasniqi në një konferencë për media në Kosovë ka thënë se ka realizuar një ëndërr të kamotshme.

Ai ka theksuar se sikur të mos e fitonte meçin ndaj Dominic Boeselit do të ishte fundi i karrierës së tij, porse tani ky është vetëm fillimi drejt sukseseve të tjera.

Të shtunën mbrëma, më 10 tetor, në Magdeburg të Gjermanisë, Haxhi Krasniqi nokautoi Dominic Boeselin në raundin e tretë dhe fitoi titullin e përkohshëm të botës në versionin WBA, në kategorinë gjysmë të rëndë. Po ashtu e fitoi titullin e botës në versionin IBO, që nuk është në mesin e katër versioneve të forta të boksit profesionist, por vjen menjëherë pas tyre.

Ai thotë se ky titull u përket edhe shqiptarëve.

një fitore e përbashkët, dhe e di se çdonjëri prej tyre i është gëzuar këtij suksesi sikur të isha një njeri i familjes së tyre. Është krenaria më e madhe në jetën time dhe çmimi më i madh kur trojet shqiptare e kam nderuar me këtë titull të botës. Është çmimi më i madh dhe ëndrra më e madhe në jetën time. Falënderoj secilin prej shqiptarëve për mbështetjen”, ka thënë Krasniqi.

Ai ka thënë se ka qenë një rrugë e vështirë.

“Ka qenë vështirësi e madhe, jam integruar atje dhe boksoj për Gjermaninë, sigurisht se duhet të punosh dhjetë herë më tepër për ta mposhtur një gjerman, kam pas shumë të vështirë të depërtoj. Edhe zhgënjimet janë pjesë e suksesit. Ka qenë ëndërr e imja që këtë ditë ta realizojë. Mediat atje sigurisht e kanë pa favorit dhe kanë dashur që Boesel të jetë fitues. Ky sukses ka vonuar 15 vjet dhe pas këtij suksesi edhe mediat gjermane ka qenë prekëse dhe ato i kemi kthyer në anën tonë dhe kanë pas shumë sukses. Ky grusht është grusht i 15 vjetëve, gjithë vuajtjet e këtyre viteve kanë qenë në atë grusht”, është shprehur ai.

Një gëzim të tillë Krasniqi thotë se nuk do të mund ta përjetojë asnjëherë më, derisa shpreson që një ditë të luftojë në stadiumin “Fadil Vokrri”.

“Salla s’ka qenë krejt e zbrazët, së paku gjysma e tyre kanë qenë shqiptarë kur është gjysma shqiptarë si me qenë krejt shqiptarë. Ka qenë një ndjenjë që s’mund ta përjetoj më kurrë aq gëzim i madh që ka qenë. Ndoshta këtë ndjenjë mund ta përjetoj edhe njëherë nëse me jepet rasti që të boksoj në stadiumin “Fadil Vokrri” para gjithë mediave shqiptare e në vendin tim ku besoj se është adrenalinë tjetër”, ka thënë Krasniqi.

Ai ka bërë të ditur se ka kontratë që të riboksojë me Boeselin.

Krasniqi ka bërë të ditur se prindërit e tij i kanë kërkuar që të pensionohet, megjithatë ai thotë se ende ka për të dhënë në botën e boksit.

“Dhimbjen më të madhe prindërit e kanë pasur deri më sot, kanë vuajtur shumë edhe pse jam munduar që të mos i tregoj mërzinë. Gjithmonë jam munduar të jap një buzëqeshje, por ata e dinë rrugët e mia dhe ata mezi e presin që unë ta marrë atë vendim (për varjen e dorezave). Babai im do të ishte shumë i lumtur sikur ta merrja atë vendim, por po besoj ende nuk është koha për atë vendim, pasi ende nuk jam i përmbushur qysh i përket suksesit”, ka thënë Krasniqi.

Krasniqi ka thënë se u është mirënjohës gjermanëve për mundësinë, porse gjithnjë ka dashur të tregoj se prej nga vjen.

“U jam shumë mirënjohës për gjermanët që më kanë dhënë këtë mundësi. Gjithmonë e kam pasur në zemër që të luftoj për këtë vend temin. Në çdo pjesë kur kam mundur ta jap kontributin tim e kam promovuar vendin tim. Edhe ata e kanë kuptuar se vendi prej ku vijmë është me rëndësi të themi se prej nga vijmë”, ka thënë ai.

Për meçin ndaj Boeselit ai thotë se ka bërë përgatitje të mëdha, derisa thekson se ka qenë maksimalisht i përgatitur.

“Asnjë çmim në botë nuk do të mund të jepte atë gëzim që më ka dhënë fitorja. Nuk kam dyshuar hiq në veten për këtë ndeshje. Synimi im ka qenë vetëm titulli i botës, sikur kjo të mos ndodhte kishte me qenë përfundimi i karrierës, por jam kanë i bindur se ka me qenë vetëm fillimi i karrierës. Ai ka thënë se gjatë përgatitjeve ka qenë krejtësisht i shkëputur nga të gjithë”, ka thënë Krasniqi.

Menaxheri i tij ka bërë të ditur se në vitin tjetër mund të ndodhin meçe të mëdha, derisa ka theksuar se tashmë ka oferta nga Franca, Anglia, Kanada e Amerika. Megjithatë, ai ka theksuar se në kontratë është e paraparë rimeçi ndaj Boeselit.

Krasniqi ka thënë se talentët kosovarë duhet të punojnë shumë, përkundër që janë në izolim aktualisht, por që është optimist se do të arrijnë të depërtojnë.

Ai thotë se shembull për sportistët kosovarë është Majlinda Kelmendi “një njeri i shenjtë për Kosovën”.

Krasniqi do t’i prezantojë titujt edhe në Prekaz, “jam shumë krenar që e bëj një shenj për këtë vend. Atij vendit i përkulem gjithmonë”.