Kryetari i Sindikatës së Shërbyesve Civilë thotë se qeveria ende nuk ka pranuar dialog me ta

Kryetari i Sindikatës së Shërbyesve Civilë, Mursel Zymberi, ka thënë se Qeveria e Kosovës duhet të konsultohet me përfaqësuesit e sindikatave për çfarëdo vendimi që merr në lidhje me ligjin e pagave apo çfarëdo tjetër që ka të bëjë me to, e që sipas Zymberit kjo nuk po ndodhë.

“E vërteta është se mungon dialogu social. Duke qenë se thirret si qeveri e orientuar nga e majta, kemi mendu që kemi me pasë dialog të suksesshëm, por kryeministri nuk ka pranu ende dialog me ne e me asnjë sindikatë tjetër”, ka thënë Zymberi në Info Magazine.

Zymberi tha se para se të bëhej kryeministër, Kurti i ka dëgjuar hallet e sindikatave dhe ka premtuar se do t’i qaset me përgjegjësi çështjeve që i mundojnë ata.

“Para se me mor pushtetin i mblodhi gjithë sindikatat, pati premtuar që do t’i qaset kësaj çështjeje me një përgjegjësi më të madhe, por kjo nuk po ndodh”, vazhdoi ai.

Sipas Zymberit, niveli i pagave të shërbyesve civilë është shumë i ulët dhe nuk ka përputhshmëri me ampulën e ligjit të pagave.

“Pagat e shërbyesve civilë nuk janë fare në përputhshmëri me ampulën e këtij ligji.. Niveli i pagave në shërbimin civil është tejet i ulët edhe kundrejt sektorëve të tjerë”, ka shtuar kryetari i sindikatës së Shërbyesve Civilë.

“Po të ketë qeveria vullnet me ba një gjë të tillë, kush po e pengon tani, votat i ka, numrat i ka, ku osht problemi, paret gjinden”.

Ai thotë se Kosova shquhet për një administratë profesionale dhe të pa korruptuar në rajon, dhe sipas tij mospasja e një page të mirë nuk është në rregull.

“Ne shquhemi si Kosovë që ka administratën më të përgatitur profesionale në regjion dhe të pa korruptuar, dhe të mos ketë pagë të mirë s’është në rregull”, ka vazhduar ai.

Zymberi tha se kanë menduar edhe për protesta pasi po ka presion nga punonjësit e shërbyesve civilë për pagat.