Kurti akuza të shumta ndaj prokurorit Blerim Isufaj: Nuk e ka të fituar asnjë rast në gjykatë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, para deputetëve në kuvend është shprehur se për drejtësi duhet vetingu, prokuroria aktive dhe siç u shpreh ai, gjyqësori efikas.

Ai foli  për arrestimin e kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi, duke thënë se s’është hera e parë që kemi gëzim në sallë të kuvendit për njerëzit të cilët janë në burg.

Për drejtësi na duhet vetingu, për drejtësi na duhet prokuroria aktive dhe e mirë, për drejtësi na duhet gjyqësori efikas dhe i ditur. Ky është synimi ynë, sepse ky është zotimi ynë dhe kjo është nevoja dhe e drejta e qytetarëve të Republikës.

“Nagip Krasniqi është në burg, dënim me vdekje në Kosovë nuk ka dhe me siguri ai e sheh në televizor këtë gëzim opozitar për arrestimin e tij. Nuk është hera e parë që kemi gëzim në sallë të kuvendit për njerëzit të cilët janë në burg, me sistem prokurorial i cili nga viti në vit është gjykuar pikërisht në raportet ndërkombëtarë”, u shpreh ai.

Ai gjithashtu foli edhe për  Blerim Isufajn, duke thënë se ata që e bëjnë vrasjen, vetëvrasje dhe vetëvrasjen, vrasje, s’mund të bëhen kryeprokuror, përcjell Klankosova.tv.

“Andaj e konsiderojmë që le t’i jepet fjala drejtësisë, le të shohim procedurat normale profesionale, mirëpo emri i kundërshtimit të ndryshimit të madh në Kosovë që është i domosdoshëm në realitetin e njerëzve, jo vetëm në kutitë e votimit më 14 shkurt 2021, sot është Blerim Isufaj”.

“Ky është thelbi i çështjes, të tjerat janë pasojat dhe nuk është e rastësishme që prokurorët që vrasjen ta bëjmë vetëvrasje e vetëvrasjen ta bëjnë vrasje, përkundër vullnetit dhe qëndrimit të presidentes, kryeministrit dhe kryeparlamentarit, duan me çdo kusht në çfarëdo rrethane me patjetër të bëhen kryeprokurorë, por nuk do të munden. Jo pse jam unë, jo pse jeni ju, por sepse në këtë shtet ka edhe Republikë edhe popull”, u shpreh tutje ai.