Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka kritikuar deputetë të partive që në legjislaturën e kaluar ishin në opozitë, për mosvotimin e kandidates së VV-së, Albulena Haxhiu, për kryetare të Kuvendit të Kosovës.
Ai ka thënë se ata deputetë që në të kaluarën votuan “Zajednicën”, Gjykatën Speciale e demarkacionin, sot nuk po e votojnë Haxhiun – edhe pse, siç ka thënë Kurti, Haxhiu është gruaja më e votuar nga populli.
“Gruaja të cilën më së shumti e ka votuar populli në zgjedhjet e 9 shkurtit është Albulena Haxhiu. Në vend se ta respektojnë popullin e luftojnë Albulenën. Dhe kush e bën këtë? E bëjnë edhe 10 deputetë që sot janë në opozitë dhe e kanë votuar ‘Zajednicën’ me 27 qershor 2013; po ashtu 10 deputetë që sot janë në opozitë e kanë votuar amnistimin e kriminelëve serbë në veri me 11 korrik 2013; më tej, 7 deputetë opozitarë sot, më 3 gusht 2015 e patën votuar Gjykatën Speciale; dhe, 15 deputetë opozitarë që janë tani e e patën votuar demarkacionin me Malin e Zi me 21 mars 2018. E këta deputetë të papenduar për këto 4 votime aq të këqija nuk e votojnë Albulena Haxhiun, dhe bile ia pamundësojnë kuorumin Kuvendit për votim të fshehtë. 5 deputetë opozitarë i kanë votuar të katërtat këto të këqija, kurse Albulena asnjërën prej tyre”, ka thënë Kurti në mbledhjen e Këshillit të Lëvizjes Vetëvendosje.