Kurti, deputetëve: Dje kemi paguar dy milionë e gjysmë euro për import të energjisë, ku t’i gjejmë paratë mi pagu këto shpenzime

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës ka thënë se vetëm dje kanë paguar dy milionë e gjysmë euro import të energjisë.

“Në ditën e djeshme i kemi pasur në punë tri blloqet e termocentralit Kosova A, A3, A4 dhe A5. A3 ka gjeneruar energji me kapacitet prodhues 133 megavat, A4 135 megavat, A5 130 megavat. Ka punuar edhe B1 në termocentralin Kosova B, 251 megavat. B2 vazhdon të jetë jashtë funksionit. Nëse i sjellim edhe burimet e ripërtërishme të energjisë janë 78 megavat. Në këtë mënyrë totali i gjenerimit të energjisë elektrike me kapacitet tona ka qenë me fuqinë prej 727 megavat në ditën e djeshme. Konsumi nacional ka qenë piku 1317 megavat në ora 23;00, ngarkesa bazë ka qenë 834 megavat”, ka thënë Kurti.

Kryeministri ka shtuar se në ditën e djeshme importi është mbi 10 gigavat orë, devijimi është mbi 400 megavat orë.

“Devijimi dhe importi gjithsejtë janë 10487 megavat orë.  Dje Çmimi bazë 227 euro për megavat orë ka qenë dje , maksimal 245 euro për megavat orë. Ne zakonisht blejmë në pik, dhe nëse e marrim përafërsisht 240 euro një megavat orë që e kemi blerë në kushtet kur konsumojmë më tepër sesa gjenerojmë kur e shumëzojmë del që dje kemi paguar import 2 milionë e gjysmë euro”, tha Kurti.

Kryeministri pyeti deputetët se ku ti marrin paratë për të paguar importin.

“Më tregoni deputet qysh ti paguajmë ku ti marrim 2 milionë e gjysmë. Askush nuk dëshiron që energjia të jetë e shtrenjtë. Nuk bëhet fjalë për çmimin e megavat orit që na vjen prej KEK-ut por për atë që e marrim nga bursa”, tha Kurti.