Kurti: Ekipi menaxhues përfundoi misionin dhe funksionin e vet, s’kemi më arsye ta dëgjojmë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë për media ka thënë se ekipi menaxhues për hartimin e draft-statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe e ka përfunduar misionin dhe funksionin e tij.

Kurti ka thënë se lirimi nga detyra e këtij ekipi, ka qenë vendimi më i drejtë që është marrë.

“Ekipi menaxhues e ka përfunduar edhe misionin edhe funksionon e vet, andaj ne nuk kemi më arsye ta dëgjojmë ekipin menaxhues që çka pati për të thënë e tha në Bruksel më 2 maj. Edhe lirimi nga detyra është gjëja më e natyrshme dhe më e logjikshme”, ka thënë ai, transmeton Telegrafi.

Gjatë konferencës, Kurti theksoi se ende nuk kanë marrë ndonjë përgjigje për propozimin e draft statutit të Asociacionit.

“Shkuam në Bruksel, e dëgjuam prezantimin e draft statutit – prezantuan vetëm thelbin e statutit, pastaj na përcjellën të plotë. Nga neni kuptohet që është dëshira e madhe për një Republikë Srpska në Kosovë, shprehim mospajtimin fondamental me këtë propozim. Unë e dhashë një propozim timin se si duhet të rregullohet nen 7 i marrëveshjes që kemi bërë. Ndërmjetësit nuk dhanë vlerësim për atë, mirëpo pala serbe nuk pranoi as ta marrë për lexim. Ne e kemi dëgjuar ekipin menaxhues, ne e kemi lexuar propozimin e tyre, ne kemi dhënë mendimin tonë mospajtues, ndërsa për propozimin tonë nuk kemi përgjigje nga ndërmjetësi”, u shpreh ai.

Kryeministri tha se për propozimin e tij është inspiruar nga modeli i Kroacisë.

“Ky draftvizion që e kam prezantuar unë aty është i inspiruar nga modeli i Kroacisë për pakicat kombëtare, përkatësisht për pakicën serbe. Marrëveshjen për modelin për mbrojtjen e pakicës serbe në Kroaci e ka pranuar edhe Serbia, prandaj ne kemi konsideruar që ky është vendi që ne do të mund të marrim frymëzimin tonë. Nëse Serbia e ka pranuar këtë gjë me Kroacinë, konsiderojmë që do të duhet ta pranojë edhe me ne. Nuk jam i interesuar as t’i kontrolloj serbët, as t’ua shkelë të drejtat as atyre, asnjë minoriteti, as një qytetari të republikës. Në veçanti për nenin 7 të marrëveshjes bazë kam ofruar një draftvizion që shpresoj se do të marr një vlerësim nga ndërmjetësit evropianë”, ka deklaruar ai.

Kurti para mediave deklaroi se gjatë këtij muaji pritet të zhvillohet një tjetër takim me ndërmjetësit e dialogut.