Kurti: Grenell s’mund të mbajë qëndrim më të avancuar për Kosovën sesa organet e vendit

Kryeministri në detyrë Albin Kurti, bashkë me shefin e Zyrës së UNICEF, Murat Sahin dhe zëvendësministrin e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Xhavit Rexhaj, kanë mbajtur sot një konferencë për media.

I pyetur rreth deklarimit të Presidentit Thaçi se do të ndërmarrë hapa kushtetues për formimin e Qeverisë së re dhe qëndrimeve të ambasadorit Grenell, Kurti ka thënë se një ambasador i huajë nuk mund të mbajë qëndrim më të avancuar për Kosovën sesa vet organet e saj të rendit, njofton Klan Kosova.

“Nuk a kam parasysh se për çfarë rezistence bëhet fjalë, por aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje janë njerëz të cilët për nga vokacioni i rezistojnë të keqes, por nuk po më bie ndër mend se këto dy ditët e fundit jam këshilluar për të rezistuar ndaj diçkaje”.

“Si Kryeministër në detyrë është e qartë se më bie të rezistoj gjëra të mbrapshta që na imponohen”.

“Unë mendoj se nuk mund të mbaj qëndrim më të avancuar për Republikë e Kosovës një ambasador i huaj sesa që këtë e bëjnë vet organet e shtetit apo figurat udhëheqëse të tij”.

“Nëse kemi një President që del kundër reciprocitetit me Serbinë; atëherë nuk mund të çuditemi me asnjë ambasador të huaj se çfarë thotë apo bën për vendin tonë”.

“Është rast i pashembullt në historinë tonë të re – e mbase jo vetëm në rajonin tonë – që kemi një personalitet politik me detyrë aq të lartë zyrtarë që del jashtë asaj detyre dhe flet kundër reciprocitetit të vendit vet ndaj një shteti që nuk ka njeh”.