Kurti hap “kuletën e shtetit” para zgjedhjeve: 100 euro shtesa për fëmijë e pensionistë

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, katër ditë para mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, ka njoftuar se Qeveria do të ndajë shtesa të menjëhershme prej 100 eurosh për fëmijët dhe pensionistët.

Zgjedhjet pritet të mbahen më 28 dhjetor, ndërsa Kurti ka bërë të ditur se shtesat financiare do të ekzekutohen një ditë më pas, më 29 dhjetor.

Ky nuk është rasti i parë që Kurti, në prag të zgjedhjeve, paralajmëron ndarjen e mjeteve shtesë për kategori të ndryshme shoqërore nga buxheti i shtetit.

Në postimin e tij në rrjetet sociale, Kurti ka shkruar se më 28 dhjetor, sipas tij, pritet një fitore bindëse, ndërsa më 29 dhjetor do të gëzohen fëmijët dhe pensionistët me shtesat financiare.

“Me fitoren tonë, Viti i Ri vjen më herët. Sikurse çdo vit, edhe sivjet kemi vendosur të mbështesim fëmijët dhe pensionistët me shtesat e fundvitit prej 100 eurove”, ka shkruar Kurti.

Ai ka theksuar se mosvotimi i buxhetit nga opozita ua ka vështirësuar punën, por, sipas tij, Qeveria ka bërë të pamundurën që edhe këtë vit të sigurojë mbështetjen financiare për fundvit, e cila do të procedohet para natës së Vitit të Ri.

Në fund të postimit, Kurti ka uruar qytetarët për festat e fundvitit, duke i ftuar që t’i festojnë ato bashkë me familjet e tyre.