Kurti i dërgon ftesë veteranëve për takim të premten në ora 9:00

Njëra nga këshilltaret e kryeministrit Albin Kurti, ia ka dorëzuar ftesa për takim për të premten në ora 9:00, ushtruesit të detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, Faton Klinaku.

Klinaku ka thënë para protestuesve se kanë pranuar një ftesë zyrtare për takim nesër me kryeministrin Albin Kurti, ministrin Hekuran Murati dhe një anëtar të Komisionit për Buxhet dhe Financa.

“E morëm një ftesë zyrtare për takim me kryeministrin dhe ministrin e Financave për nesër në orën 09:00. Ishte një kërkesë e jona sepse ne takimeve nuk ju kemi ik asnjëherë”, ka thënë Klinaku.

Ai ka shtuar se do të vazhdojnë të qëndrojnë në oborrin e Kuvendit, derisa të anulohet krejtësisht seanca e Kuvendit për sot.

“Kërkesa jonë qysh në mëngjes ka qenë që të ndërpritet seanca dhe të mos mbahet asnjë seancë derisa të ulemi e të bisedojmë e ta kthejmë ligjin në vend ku ka qenë do të qëndrojmë këtu, këta duhet ta ndërprenë seancën e sotme”, tha Klinaku.