Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka mirëpritur studentë nga Universiteti francez Sciences Po, Universiteti i Humboldt, Universiteti i Shkupit dhe Universiteti i Ri i Bullgarisë.
Ai tha se Kosova është dëshmi ku zhvillimi ekonomik dhe progresi demokratik mund të ecin së bashku.
Kurti shtoi se Kosova ka shënuar rritje ekonomike me një mesatare vjetore prej 6% në katër e fundit, si dhe ka arritur përparim në indekse ndërkombëtare mbi demokracinë, sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut ndër të tjera.
“Krahas rritjes ekonomike të arritur në katër vitet e fundit, si qeveri kemi punuar në rishpërndarjen e kësaj rritjeje edhe drejt qytetarëve, në format e subvencioneve për fermerë, arsim publik falas, shtesa për fëmijë dhe nënat e reja, rritje të pagës minimale dhe pagave në sektorin publik e privat”, thuhet në komunikatë.
Tutje, Kurti vuri në dukje se punësimi u rrit, me theks tek të rinjtë dhe gratë, dhe papunësia ra nga mbi 25 për qind në nën 11 për qind.
Në vijim, Kurti theksoi edhe investimet në fusha kyçe e strategjike, përfshirë edhe sigurinë e mbrojtjen, si dhe orientimin dhe aspiratat për anëtarësim në NATO dhe Bashkimin Evropian.
“Në këtë shkëmbim me studentët kryeministri iu përgjigj edhe pyetjeve të tyre ku u prekën gjithashtu temat e marrëdhënieve në rajon dhe në veçanti me Serbinë, masat e ndërmarra në fushat e sigurisë dhe të mbrojtjes, rreziqet të cilat kanosen në gjithë Evropën siç janë kërcënimet hibride dhe rritja e fashizmit dhe detyra për t’i përballuar ato, ndërsa pati bisedë gjithashtu mbi autorët e filozofisë politike dhe të sociologjisë”, thuhet në komunikatë.