Kurti: Paga minimale në Kosovë rritet në 500 euro, përfitojnë rreth 150 mijë punëtorë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se paga minimale në vend është rritur në 500 euro, duke e cilësuar këtë si një hap të rëndësishëm në përmirësimin e mirëqenies së punëtorëve.

Sipas Kurtit, paga minimale kishte mbetur e pandryshuar për më shumë se një dekadë, që nga viti 2011, kur ishte caktuar në 130 euro për personat nën 35 vjeç dhe 170 euro për ata mbi këtë moshë.

Ai theksoi se gjatë mandatit të qeverisë së tij paga minimale është rritur katër herë, fillimisht në 250 euro, më pas në 350 euro, në 425 euro dhe tashmë në 500 euro.

Sipas kryeministrit, nga kjo rritje do të përfitojnë rreth 150 mijë punëtorë të sektorit privat.

Kurti vlerësoi se, për dallim nga periudha para qeverisjes së tij kur paga minimale kishte mbetur e ulët dhe e pandryshuar për më shumë se dhjetë vjet, gjatë më pak se pesë vjetëve të fundit është arritur trefishimi i saj.

Ai shtoi se Qeveria do të vazhdojë ta shoqërojë rritjen dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës me rritje të mirëqenies për të gjithë qytetarët.