Kurti pajtohet që të takohet me përfaqësuesit e veteranëve

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka propozuar që të anulojë pjesëmarrjen e tij në Forumin e Prespës për Dialog, që zhvillon punimet në Ohër të Maqedonisë së Veriut, ashtu që të takohet të premten me përfaqësuesit e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Ai e ka bërë këtë deklaratë në seancën e Kuvendit, teksa jashtë ndërtesës kanë qenë duke protestuar veteranët, si shenjë pakënaqësie ndaj miratimit në parim të Projektligjit për pagën minimale në Kuvend, më 14 qershor.

Projektligji nuk e parasheh lidhjen e pagës minimale me pensionin e veteranëve, siç ka qenë në të kaluarën.

Veteranët janë duke kundërshtuar edhe mbajtjen e një seance të rregullt që ka nisur për pak minuta paraditen e së enjtes në Kuvend.

Kurti ka thënë se Qeveria ndan rreth 120 milionë euro për kategoritë e dala nga lufta, dhe se kjo shifër është më e madhe sesa ajo që ndahet për sigurinë e vendit.

“Unë nuk besoj që ne dallojmë sa i përket respektit dhe mirënjohjes për veteranët e luftës së UÇK-së, ne mund të dallojmë në bindjen tonë për numrin e tyre. Ky është një debat që zhvillohet në shoqërinë tonë, që natyrisht zhvillohet edhe në Kuvend”.

Ai ka thënë se është i gatshëm të bashkëpunojë edhe me kategoritë e dala nga lufta “për të arritur te numri i vërtetë i veteranëve”.

“Konsiderojmë që pjesëmarrës në luftën çlirimtare kanë qenë më shumë se 60 mijë, por numri i veteranëve të UK-së është i fryrë, dhe ky është gabim edhe për historinë që do t’iu mësohet fëmijët në brezat e ardhshëm, sepse është diçka e pavërtetë”.