Kurti: Prioriteti kryesor është menaxhimi i pandemisë, deri në fund të muajit do të kemi mbi 140 mijë vaksina të reja

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti para deputetëve të Kuvendit të Kosovës ka prezantuar programin e tij qeverisës, të miratuar ditë më parë në njërën nga mbledhjet e Qeverisë së Kosovës.

Kryeministri në fillim të fjalimit të tij tha se menaxhimi i pandemisë është prioritet kryesor i programit.

“Sot janë bërë 55 ditë nga marrja e detyrës së Qeverisë. Në këto ditë kemi bërë shumë punë, siç e kemi thënë edhe në program prioritet është menaxhimi i pandemisë. Kemi bërë një plan për të bërë këtë menaxhim. Masat të cilat i kemi marrë ishin efektive”, tha Kurti ndër të tjera.

Kurti po ashtu shtoi se kur e kanë marrë detyrën, nuk kanë gjetur asnjë kontratë për asnjë vaksinë, ndërsa tha se deri në fund të muajit Kosova do të marrë edhe 142 mijë vaksina të reja.

“Ne kur erdhëm nuk gjetëm asnjë kontratë për sigurimin e vaksinave. Deri në fund të muajit do t’i kemi 142 mijë vaksina të reja”, tha Kurti.