Përmendja e Ramush Haradinajt si kandidat për president, vjen qëndrimi i VV-së

Lëvizja Vetëvendosje i ka dhënë të martën sinjalet e para të qëndrimit të saj rreth kandidaturës së mundshme të Ramush Haradinajt për postin e presidentit të vendit.

Adnan Rrustemi i Vetëvendosjes tha se ish-kryetari i AAK-së nuk konsiderohet figurë koncensuale.

Deputeti tha se për zgjedhjen e presidentit janë dy mënyra, ose pajtim për një emër konsensual, ose nëse opozita mbledh nënshkrimet për propozimin e Haradinajt, atëherë edhe LVV e vendos një kandidat.

Sipas deputetit të LVV-së, kandidati konsensual nënkupton një figurë që është jashtë politikës dhe sipas tij, Ramush Haradinaj është aktiv në politikë.

“Le ta nxjerrin opozita si kandidat nëse janë të bindur dhe Vetëvendosja e nxjerr një kundër-kandidat”, tha fillimisht ai.

Ai gjithashtu rikujtoi qëndrimet e ashpra të Haradinajt ndaj qeverisë Kurti.

“[Haradinaj] është politikan aktiv dhe me një qëndrim tepër të ashpër, të pasaktë, ndaj qeverisë së Vetëvendosjes”, tha Rrustemi.