Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vlerësuar vitin 2025 si një vit me zhvillime të rëndësishme pozitive për vendin dhe qytetarët, pavarësisht sfidave të shumta. Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Kurti ka renditur dhjetë lajmet që i cilëson si më të mirat e këtij viti.
Sipas tij, ndër zhvillimet kryesore është rritja e mbështetjes financiare për nënat lehona, ku shtesat mujore janë rritur nga 170 euro në 325.9 euro, ndërsa pagesa e pushimit të lehonisë nga Qeveria është rritur nga 223 euro në 319.5 euro.
Kurti ka përmendur gjithashtu rritjen e pensionit bazik në 150 euro, si dhe forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të vendit përmes pajisjes së ushtrisë me dronë amerikanë Puma, dronë luftarakë turq Skydagger dhe sistemin antitank gjerman Panzerfaust 3.
Në fushën e politikës së jashtme, kryeministri ka theksuar katër njohje të reja për Kosovën, fuqizimin e pasaportës kosovare në indekset ndërkombëtare, si dhe heqjen e masave të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës.

Po ashtu, ai ka përmendur ndërtimin e dy urave të reja mbi lumin Ibër në Mitrovicë, një për këmbësorë dhe një për automjete, si dhe përurimin e Depos së re Qendrore të Barnave, pas më shumë se dy dekadash.
Në listën e tij, Kurti ka veçuar edhe anëtarësimin e Kosovës me të drejta të plota në Regjistrin Evropian të Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR), pas përjashtimit në vitin 2018.
Ndër zhvillimet ekonomike dhe infrastrukturore, ai ka përmendur vazhdimin e programit Kompakt të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), që përfshin një grant prej 202 milionë dollarësh nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për investime në sektorin e energjisë.
Gjithashtu, për herë të parë është ndarë Bursa e Mobilitetit për studentët që udhëtojnë për të ndjekur studimet e tyre, si një formë mbështetjeje direkte për arsimin e lartë.
Në fund, Kurti ka theksuar se Kosova është hequr nga listat e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore të vendeve në Situata të Brishta dhe Konflikti, duke e cilësuar këtë si një tregues të stabilitetit institucional dhe ekonomik të vendit.
Postimi i kryeministrit vjen në përmbyllje të vitit 2025 dhe në kohën e vlerësimeve publike për performancën qeveritare gjatë këtij viti.