Kurti rendit politikat mbështetëse të Qeverisë ndaj komunave

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka listuar disa prej projekteve mbështetëse që Qeveria e Kosovës i ka bërë drejt komunave.

Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka thënë se Qeveria e Kosovës ka ndarë 1.5 milion euro për “Programin Komunal për zhvillim të infrastrukturës socio-ekonomike dhe bashkëpunim ndërkomunal”;

“Zbatuam Projektin “Municipality 4 Youth” me vlerë 2,7 milionë dollarë, Programin për Zhvillim Rajonal: 17 projekte të investimeve kapitale në 16 komuna, në vlerë prej 1,4 milion euro, Programin për Zhvillim Rajonal të Balancuar në vlerë 3 milionë euro. Përfituan 335 biznese dhe gjeneruam 770 vende të reja pune dhe Programin për bashkëpunim me OShC, në vlerë prej 107 mijë euro. Nga 38 projekte, përfituan 200 të rinj dhe gra”, ka shkruar Kurti.

Ndër të tjera, shefi i ekzekutivit ka thënë se se është avancuar bashkëpunimi ndërkufitar me Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi duke theksuar se janë paraparë mbi 25 milionë euro;

“Inicuam zhvillimin e portalit E-Komunat për digjitalizim në nivel lokal, Mbështetëm komunitetet nëpërmjet Fondit prej 1 milion euro, Forcuam të drejtat e komuniteteve nëpër komuna, Hartuam Planin Kombëtar të Veprimit për Partneritetin për Qeverisje të Hapur – PQH me qëllim të anëtarësimit në organizatën ndërkombëtare PQH”, tha Kurti.

Po ashtu ai theksoi se është miratuar Strategjia Kombëtare për menaxhimin dhe kontrollin e qenve me dhe pa pronar.