Kurti: Rritje të pagave po, por jo sa rritja ekonomike

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se sipas Bankës Qendrore të Kosovës, vendi ka shënuar rritje ekonomike prej 9.9 për qind, mirëpo rritja e pagave ,që sipas tij do të bëhen shpejtë, s’mund të ndjekin rritjen ekonomike.

“Banka Qendrore e Kosovës ka thënë që në Kosovë rritja ekonomike është 9.9 për qind, që është e pashembullt në rajonin Perëndimor. Në tremujorin e dytë të 2021-tës, rritja ka qenë 16.3 për qind, ajo çka dua të tërheq vërejtje, është se ndonëse pagat në Kosova duhet të rriten e do të rriten, ato s’mund ta ndjekin rritjen ekonomike. Në anën tjetër, pagat mund ta ndjekin rritjen ekonomike vetëm kur kemi papunësi shumë të ulët. Në kushte kur kemi papunësi shumë të lartë, s’mund ta ndjekë rritjen ekonomike rritja e pagave”, deklaroi Kurti.

Në anë tjeter, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, deklaroi se çdo vit buxheti i Kosovës ka shënuar rritje, por sivjet rritja është në trendin e njëjtë, derisa propozoi që të krijohet një pako e përkohshme për t’u dalë në ndihmë qytetarëve për t’u përballur me inflacionin.

“Performanca statistikore është trend i çdo viti në këto 20 vite. Çdo vit ka pasur rritje buxheti. Ju jeni në trendin e njëjtë. Unë po kërkoj një pako të përkohshme që e ndihmon qytetarin të përballet me inflacionin…Po është rritur eksporti, por edhe importi ka shkuar në 4.6 miliardë”, deklaroi Abdixhiku.

Duke folur për papunësinë, Kurti tha se nuk është problem papunësia, por mungesa e punës në profesion.

“Nuk mund ta kryesh Fakultetin Juridik e Ekonomik e të punosh tërë jetën kamarier. Mund të punosh 6 muaj 1 apo 2 vjet, por jo gjithë jetën. Performanca ekonomike është si rezultat i rritjes së besueshmërisë qytetare në Qeverinë, për shkak të luftës sonë ndaj korrupsionit”, theksoi Kurti.