156 persona janë lënduar gjatë katër ditëve të protestave në Tiranë, prej të cilëve 97 efektivë policie, 45 protestues dhe 14 kalimtarë, sipas ministrit të Brendshëm të Shqipërisë, Ervin Demo.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Demo u ka uruar shërim të shpejtë të gjithë të lënduarve, duke bërë të ditur se mes tyre janë edhe katër të mitur.
Ai ka dënuar përfshirjen e fëmijëve në aktet e dhunës, duke u bërë thirrje prindërve që të mos lejojnë përdorimin e tyre në përplasjet politike.
“Përdorimi i të miturve në akte thellësisht politike, e aq më tepër vënia në rrezik e jetëve të tyre për hir të luftës në pushtet, është një poshtërsi, e cila nuk duhet të kalojë pa u vënë re e pa u përbuzur nga e gjithë shoqëria shqiptare”, ka shkruar Demo.
Ministri ka theksuar se policisë i ka kërkuar vazhdimisht të tregojë kujdes të veçantë ndaj të miturve.
Ai ka folur edhe për personat e arrestuar dhe të proceduar për akte të dhunshme, duke pretenduar se numri i studentëve në mesin e tyre është shumë i vogël dhe se ata nuk kanë lidhje me atë që e cilësoi si skenar të dhunshëm politik.
Demo ka akuzuar organizatorët e protestave se po e përdorin dhunën për qëllime politike, duke përmendur dëmtimin e institucioneve publike, sinjalistikës rrugore dhe pronës private.
Sipas tij, përplasjet nuk duhet të pengojnë rrugëtimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian.
“Kjo është një përpjekje e maskuar e atyre që pushtetin duan ta marrin me dhunë dhe që nuk paskan ndërmend të kursejnë as të miturit e as bizneset private të njerëzve që s’kanë lidhje me betejën e tyre”, ka deklaruar ai.
Demo ka shprehur bindjen se dhuna nuk do ta ndalë integrimin evropian të Shqipërisë.