Mbi 40-vjeçarët përfitojnë nga alkooli, për ata nën këtë moshë nuk është aspak i mirë

Alkooli bart rreziqe të konsiderueshme për shëndetin dhe nuk ka përfitime për të rinjtë, por disa të rritur mund të përfitojnë nga pirja e një sasie të vogël, sipas studimit më të madh të këtij lloji.

Përfundimi vjen nga autorët e studimit “Global Burden of Diseases”, i cili prodhon të dhënat më të plota për shkaqet e sëmundjeve dhe vdekjeve në botë, raportoi të premten The Guardian.

Katër vjet më parë studimi tha se edhe një pije ishte e dëmshme për shëndetin dhe sugjeroi që qeveritë duhet t’i këshillojnë njerëzit të abstenojnë plotësisht.

Por pas një analize të re të madhe të të dhënave globale, ekspertët pas studimit kanë arritur në përfundime të reja. Të rinjtë përballen me rreziqe më të larta shëndetësore nga konsumimi i alkoolit sesa të moshuarit, thonë ata. Por ata shtojnë se të rriturit e moshës 40 vjeç e lart pa probleme të theksuara shëndetësore mund të përfitojnë nga konsumimi i kufizuar i alkoolit, si një gotë e vogël verë e kuqe në ditë, duke përfshirë një rrezik të reduktuar në sëmundjet kardiovaskulare, goditje në tru dhe diabeti.

Gjetjet e tyre janë të parat që raportojnë rrezikun e alkoolit sipas rajonit gjeografik, moshës, gjinisë dhe vitit. Ata sugjerojnë që rekomandimet globale të konsumit të alkoolit duhet të bazohen në moshën dhe vendndodhjen, me udhëzimet më të rrepta për meshkujt e moshës 15-39 vjeç, të cilët janë në rrezikun më të madh të konsumit të dëmshëm të alkoolit në mbarë botën.

Një total prej 1.34 miliardë njerëz vlerësohet të kenë konsumuar sasi të dëmshme alkooli në vitin 2020, sipas analizës së zakoneve të pirjes në 204 vende.

Studimi zbuloi se 59% e atyre që pinin sasi të dëmshme ishin të moshës 15-39 vjeç – njerëz për të cilët alkooli nuk ofronte përfitime shëndetësore dhe përbënte rreziqe, duke përfshirë lëndimet në lidhje me alkoolin ose aksidentet me makinë, vetëvrasjet ose vrasjet. Tre të katërtat e pirësve të dëmshëm ishin burra.

Studiuesit e konsideruan një pije standarde si një gotë 100 ml verë të kuqe me 13% alkool ose një kanaçe 375 ml ose shishe birrë 3.5%.

Ata zbuluan se për meshkujt e moshës 15-39 vjeç, sasia e rekomanduar e alkoolit përpara se të rrezikonte përkeqësimin e shëndetit ishte vetëm 0,136 e një pije standarde në ditë. Për gratë e së njëjtës moshë, “niveli teorik minimal i ekspozimit ndaj rrezikut” ishte 0,273 pije – rreth një e katërta e një pije standarde në ditë.

Për të rriturit e moshës 40 vjeç e lart pa ndonjë gjendje shëndetësore, pirja e një sasie të vogël alkooli lidhej me disa përfitime shëndetësore, të tilla si ulja e rrezikut të sëmundjeve të zemrës, goditjes në tru dhe diabetit.

Në mesin e atyre të moshës 40-64 vjeç, nivelet e konsumit të sigurt të alkoolit varionin nga rreth gjysma e një pije standarde në ditë deri në pothuajse dy pije standarde. Për ata të moshës 65 vjeç e lart, rreziqet e “humbjes së shëndetit nga konsumimi i alkoolit” u arritën pas konsumimit të pak më shumë se tre pijeve standarde në ditë.