Mërgim Lushtaku del hapur pro rikthimit të Fatmir Limajt në PDK

Mërgim Lushtaku del hapur pro rikthimit të Fatmir Limajt në PDK

Ish-deputeti i Partia Demokratike e Kosovës, Mërgim Lushtaku, ka deklaruar publikisht se është pro rikthimit të Fatmir Limaj në PDK.

Përmes një reagimi publik, Lushtaku tha se, po të varej nga ai, kjo çështje do të ishte përfunduar tashmë, duke theksuar se qëndrimi i tij ka qenë dhe mbetet në favor të rikthimit të Limajt.

“Po të varej nga unë, kjo çështje do të ishte e kryer, sepse qëndrimi im ka qenë dhe mbetet PËR”, ka deklaruar Lushtaku.

Ai ka bërë të ditur se vendimi përfundimtar do të merret nga Kryesia e PDK-së, e cila pritet të mblidhet sot, ndërsa shtoi se të njëjtin qëndrim do ta mbrojë edhe në mbledhjen e partisë.

“Vendimin e merr Kryesia e PDK-së, por unë do ta mbaj këtë qëndrim edhe në mbledhjen e Kryesisë”, u shpreh ai.

Lushtaku gjithashtu tha se shpreson që të respektohet vullneti i elektoratit dhe që, sipas tij, bashkërisht të fuqizohet PDK-ja.

Deklarata e tij vjen në kohën kur brenda PDK-së po zhvillohen diskutime rreth mundësisë së përfshirjes së Fatmir Limajt në listën zgjedhore të partisë, vetëm një ditë para afatit për dorëzimin e kandidatëve për deputetë.