Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati ka njoftuar se janë alokuar 2.7 milionë euro mjete të Komunës së Prishtinës.
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka publikuar njoftimin e plotë lidhur me procesin e alokimit të mjeteve për operatorët e transportit publik në Prishtinë, duke sqaruar procedurat dhe duke kundërshtuar deklarimet e Komunës së Prishtinës.
Sipas ministrit Murati, tashmë janë alokuar mjetet në kategorinë “mallra dhe shërbime” në vlerë prej 2.7 milionë euro, të cilat janë të nevojshme për pagesën e borxheve ndaj operatorëve të transportit publik. Ai theksoi se kjo shumë është proceduar e ndarë nga pjesa tjetër prej 25.9 milionë eurove të projekteve kapitale, për shkak se procedurat për kapitalet kërkojnë më shumë kohë dhe nuk ishte e mundur të përfundonin brenda ditës së sotme.
Murati rikujtoi se vendimi i Komunës së Prishtinës për përdorimin e të hyrave vetanake, i marrë të enjten mbrëma, duhej të kalonte fillimisht procesin e verifikimit të ligjshmërisë nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL). Në rastet kur vendimet lidhen me buxhetin, verifikimi i ligjshmërisë duhet të kryhet edhe nga Ministria e Financave.
Sipas tij, ky proces është përmbyllur “në afat rekord” nga të dy ministritë, njësoj siç ishte premtuar në takimin me sindikatat e transportuesve publikë.
Ministri sqaroi se deri të hënën nuk ka qenë e mundur të kryhej ky verifikim, pasi e premtja dhe fundjava nuk ishin ditë pune. Ndërkohë, gjatë ditës së sotme, Departamenti i Buxhetit në MFPT ka qenë në komunikim të vazhdueshëm me zyrtarët financiarë të Komunës së Prishtinës, duke i mbajtur të informuar për çdo hap të procesit.
Murati kritikoi ashpër deklarimet e Komunës së Prishtinës, të cilat i cilësoi si “dezinformuese” dhe si përpjekje për të fajësuar Ministrinë për vonesa në alokimin e mjeteve.
“Është për keqardhje sjellja dhe deklaratat dezinformuese të Komunës së Prishtinës, kur në fakt edhe ata vetë e dinë që kemi të bëjmë me procedura që nuk mund të tejkalohen”, deklaroi ai.
Në fund, Murati tha se mbetet të shihet nëse komuna ka vlerësuar saktë nevojat financiare, pasi ka vendosur të ndajë vetëm 2.7 milionë euro në kategorinë e mallrave dhe shërbimeve.
“Uroj që komuna tash të shlyejë të gjitha borxhet ndaj operatorëve të transportit publik dhe të marrë fund farsa për gjoja bllokadën e pretenduar”, përfundoi Murati.