Naftarët paralajmërojnë protesta kundër vendimit të Qeverisë

Çmimet maksimale të lejuara të derivateve të naftës të hënën janë: nafta deri në 1.86 euro për litër, ndërsa benzina deri në 1.49 euro për litër.

Kryetari i Shoqatës së Naftarëve të Kosovës, Fadil Berjani, ka paralajmëruar protesta pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për vendosjen e çmimeve maksimale të derivateve.

Sipas tij, ky vendim po u shkakton dëme serioze bizneseve të sektorit, ndonëse operatorët janë duke e respektuar atë.

“Ky është vendim i gabuar dhe po i dëmton bizneset, ndërsa disa pika të karburanteve mund të përballen edhe me falimentim. Askund në botë nuk ndodh që dizeli të blihet me 1.86 euro dhe të shitet me të njëjtin çmim”, deklaroi Berjani. Ai shtoi se, nëse institucionet nuk reflektojnë, do të ndërmerren masa të tjera, përfshirë edhe protesta.

Aktualisht, sipas vendimit të Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, çmimet maksimale të lejuara për datën 6 prill janë:

  • Nafta (dizel): deri në 1.86 euro për litër
  • Benzina: deri në 1.49 euro për litër

Ministria ka njoftuar se këto çmime përcaktohen në bazë të analizave të vazhdueshme të tregut, duke përfshirë të dhënat e importeve dhe lëvizjet në tregjet ndërkombëtare. Po ashtu, është bërë e ditur se çdo ditë para orës 10:00 publikohet çmimi maksimal i lejuar, i llogaritur sipas mesatares së importeve.