Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës është shtyrë për herë të pestë të hënën, pasi Lëvizja Vetëvendosje (LVV), si fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit, kërkoi arritjen e një marrëveshjeje politike për emërimin e kryetarit të Kuvendit.
Deputeti i LVV-së, Glauk Konjufca, tha se partia e tij nuk e sheh të arsyeshme që në këtë seancë të propozojë përsëri Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit, meqë partitë e tjera parlamentare kanë refuzuar ta mbështesin kandidaturën e saj.
“Pa një marrëveshje politike, rrezikojmë që të përsërisim të njëjtin skenar të dështimit,” tha Konjufca, duke kërkuar kohë shtesë për dialog ndërpartiak.
Ironikisht, në vitin 2017, Vetëvendosje kishte kundërshtuar ashpër zgjedhjen e Kadri Veselit për kryetar të Kuvendit.
Në atë kohë, lideri i LVV-së, Albin Kurti, kishte deklaruar se partia e tij nuk do ta votonte Veselin, duke theksuar se Vetëvendosje do të përfaqësonte ndryshimin demokratik.
“U posa e bëra regjistrimin si deputet në Kuvendin e Republikës dhe unë do të jem deputet i popullit që do ndryshime demokratike, ndryshime për drejtësi e zhvillim, për mirëqenie e punësim, për liri e demokraci,” kishte thënë Kurti.
Ndërkaq, Kurti kishte qenë i prerë se të gjithë 32 deputetët e Vetëvendosjes do të marrin pjesë në seancë por nuk do ta votojnë një figurë kontraverse.
“Të enjten, Kuvendi duhet ta zgjedhë një figurë politike që duhet të jetë sa më gjithëpërfshirëse e kurrsesi kontroverse,” kishte deklaruar Kurti.