Kanë vazhduar akuzat ndërmjet partive politike rreth formimit të Qeverisë së re. Në mungesë të numrave të nevojshëm Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar nga partitë e ish-opozitës që të votojnë për mandatarin Glauk Konjufca.
Por, ish-opozita e ka akuzuar Konjufcën për blerje kohe.
‘’Këta po dëshirojnë që të blejnë kohë që zgjedhjet të shtyhen deri në fund të dhjetorit e cila ka qenë strategjia e LVV-së duke e ditur se llogaritur në votat e diasporës”, tha për RTV21 Time Kadrija deputete e AAK-së.
Deputeti i LVV-së, Mefail Bajqinovci, kritikon partitë e ish-opozitës për bllokim të krijimit të institucioneve. Sipas tij, edhe pse nuk ka një marrëveshje paraprake politike, pret që deputetët e Kuvendit ta votojnë mandatarin Glauk Konjufca.
‘’Për atë që dihet deri më sot zvarritjen e ka bërë opozita. Ne besojmë se opozita të reflektoj dhe ta votojë zotin Konjufca sepse është në rrezik buxheti i Kosovës”, tha Bajqinovci.
Por, Bajqinovci nuk e di nëse Glauk Konjufca i ka siguruar votat e nevojshme apo jo.
‘’Nuk e di sepse është në diskrecionin e mandatarit për krijimin e Qeverisë. Dihen edhe deklaratat e zotit Konjufca se duhet një Qeveri edhe pse nuk është shumë e gjatë sepse mandej e kemi çështjen e zgjedhjes së presidentit”, tha Bajqinovci.
Në mungesë të një marrëveshje politike Lëvizja Vetëvendosje synon që ta mbështesin individualisht Konjufcën për kryeministër. Por, deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, tha se një gjë e tillë nuk do të ndodh. Sipas saj, askush nuk dëshiron të bashkëpunojë me LVV-në.
‘’Është për të ardhur keq sepse askund nuk ndodh që një deputet apo subjekt politik me votu kandidatin e një subjejti tjetër pa një marrëveshje politike”, deklaroi Kadrijaj.
Hulumtuesi në Institutin e Kosovës për Drejtësi, Melos Kolshi, tha se mandatari për formimin e Qeverisë, Glauk Konjufca, nuk është duke bërë përpjekje për të arritur koalicion pë sigurimin e numrave të nevojshëm për formimin e Qeverisë. Sipas tij, më mirë është që zoti Konjufca të tregojë që nuk i ka numrat në mënyrë që vendi të mos humbë kohë.
‘’LVV-ja me vet faktin se nuk i ka numra, patjetër që duhet të formojë një koalicion për të siguruar numrat për mandatarin e dytë. Mirëpo, tashmë jemi shumë vonë për formimin e Qeverisë. Nuk duhet që të presim deri në fund të afatit. Zoti Konjufca duhet që të deklarohet nëse nuk i ka numrat e nevojshëm dhe të procedohet me tutje që të mos humbasim kohë më tutje sepse çdo vonesë po shkakton edhe humbje të mëdha financiare”, tha Kolshi.
Më 19 të këtij muaji mandatarit Glauk Konjufca i kalon afati kur duhet të dal para deputetëve për dëshmuar nëse i ka votat apo jo.